• Tuesday, 04 February 2025

SHGM: Dënim për pengimin e punës gazetareske të ekipit të televizionit Klan

SHGM: Dënim për pengimin e punës gazetareske të ekipit të televizionit Klan

3 shkurt 2025

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon veprimin e një punonjëseje në spitalin "8 Shtatori", e cila ka penguar ekipin gazetaresk të televizionit KLAN gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Këto përpjekje për të kufizuar lirinë e informimit përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar mbi çështje me interes të lartë publik.

Kujtojmë se me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, sulmet dhe pengesat ndaj punës së gazetarëve do të trajtohen si sulm ndaj personit zyrtar dhe do të ndëshkohen përkatësisht. Çdo përpjekje për frikësim, pengim apo censurë ndaj punonjësve të medias është e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse.

Çështja e problemeve me dializën dhe qasja e pacientëve në shërbimet shëndetësore është me rëndësi të madhe për qytetarët e vendit dhe kërkon transparencë të plotë nga institucionet. Në vend që të pengohet raportimi mediatik, autoritetet shëndetësore duhet të sigurojnë hapje dhe përgjegjshmëri ndaj publikut, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe shëndetin e njerëzve.

I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë këtë situatë dhe të ndërmarrin masa për të mbrojtur gazetarët gjatë ushtrimit të detyrave të tyre profesionale. Njëkohësisht, apelojmë tek të gjithë funksionarët publikë dhe të punësuarit në institucione që të respektojnë parimet demokratike dhe të bashkëpunojnë me mediat në interes të së vërtetës dhe transparencës.

Liria e medias është një nga shtyllat themelore të shoqërisë demokratike, dhe çdo përpjekje për ta kufizuar atë përbën kërcënim për të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

______________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.