Zeqirija Ibrahimi: Shqiptarët në RMV, nga zyrtarizimi i gjuhës deri te statusi minoritar
- KUMTESË
- Post By Arta Bunjaku
- 17:47, 28 December, 2024
Shkup, 28 dhjetor 2024
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka shkruar sërish për çështjen e statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke e
konsideruar një iluzion deklaratat se ajo është gjuhë zyrtare. Në një reagim, ai sfidon publikisht këdo që mendon ndryshe, duke kërkuar një debat të hapur për këtë temë.
“Gjuha shqipe në RMV nuk është zyrtare. Të gjithë ata që mendojnë ndryshe ose nuk e kuptojnë mbiemrin ‘zyrtare’ ose nuk e kuptojnë gjuhën shqipe,” deklaroi Ibrahimi. Ai vuri në pah se gjuha shqipe, megjithëse ka një status të avancuar në disa fusha, nuk mund të quhet zyrtare për sa kohë Kushtetuta e vendit e definon shqiptarët si komunitet jo shtetformues.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut mbetet një shtet monogjuhësor, ku gjuha maqedonase është e vetmja gjuhë shtetërore. Ai shtroi pyetjen themelore: “Pse gjuha shqipe nuk është zyrtare dhe kush e ka lënë në këtë status? Kush i ka lënë shqiptarët në status të minoritetit?”
Ibrahimi e përfundoi deklaratën e tij me një ironi: “Në fund, pyetja e zakonshme: si përkthehet shqip Non Grata?”
Alternativa
________________________________________________________________________________________
МIА Këto tekste i publikon në formë integrale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre.
Foto: МIА arkivi