• Wednesday, 01 January 2025

Murtezani për MIA-n: Të mos insistojmë vetëm në një zgjidhje me Bullgarinë, por të vazhdojmë të mbrojmë qëndrimet tona

Murtezani për MIA-n: Të mos insistojmë vetëm në një zgjidhje me Bullgarinë, por të vazhdojmë të mbrojmë qëndrimet tona

Shkup, 29 dhjetor 2024 (MIA) - Mendimi dhe përshtypja ime personale nga të gjitha takimet e mia të deritanishme është se nuk është mirë të insistohet vetëm në një zgjidhje me Bullgarinë. Le të insistojmë që t'i mbrojmë qëndrimet tona dhe t'i shtjellojmë ato, sepse nëse këmbëngulim vetëm për një zgjidhje, atëherë nuk e dimë se ku mund të na çojë ajo zgjidhje, veçanërisht duke pasur parasysh që një propozim i tillë, siç më kujtohet, u refuzua nga pala bullgare që me propozimin francez.

Kështu deklaroi Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani në një intervistë për MIA-n, i pyetur nëse propozimi për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar do të ishte i pranueshëm nga qeveria e re bullgare.

“Së dyti, nuk është se shtetet anëtare janë të gatshme ta mbështesin këtë propozim në këtë mënyrë, Por është hapi i pare, që jam i sigurt se mund të na çojë në gjetjen e një propozimi që do të jetë i pranueshëm për të dyja palët”, tha Murtezani.

Sipas tij, bilateralizimi i procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian jo vetëm që po bëhet problem për vendet kandidate, por po fillon të bëhet problem serioz edhe për vetë Unionin.

“Sidomos tani që gjatë mbylljes së kapitujve të Malit të Zi, edhe Kroacia shpalli bllokada të caktuara. Edhe për vendet e tjera kandidate ka bllokime të caktuara dhe bilateralizimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk sjell dëm vetëm për vendet kandidate, por edhe për Bashkimin Evropian”, theksoi Murtezani.

Ai thotë se shtetet anëtare janë të vetëdijshme për këto probleme dhe se i dëgjojnë me vëmendje argumentet tona.

“Në disa raste, së bashku me kryeministrin jemi përpjekur të shpjegojmë se detyrimet e marra në lidhje me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese qëndrojnë si të tilla, ka vullnet politik dhe gatishmëri për t'I realizuar ato, por ne duhet ta mbrojmë procesin nga bilateralizimi i mëtejshëm, sidomos për një arsye, sepse projektimi i procesit të anëtarësimit është gjatë zbatimit të disa reformave dhe standardeve të caktuara evropiane”, theksoi Murtezani.

Sipas tij, nuk ka kuptim nëse procesi zhvillohet duke u bazuar në disa ngjarje historike nga shekulli XI, XII apo XIII.

“Prandaj, nëse procesi duhet të na bëjë një vend të besueshëm për hyrjen në Bashkimin Evropian, procesi duhet të fokusohet në reforma dhe arritjen e standardeve. Në Bruksel ka një mirëkuptim për këtë, ka mbështetje jo vetëm në rastin tonë por edhe për ta zgjidhur më gjerësisht. Na mbetet që përmes iniciativave dypalëshe të shpresojmë se këto përpjekje në Bullgarinë fqinje do të përfundojnë me një qeveri politike solide dhe stabile me të cilën do të ulemi të bisedojmë sepse marrëveshjet dypalëshe krijojnë detyrime për të dyja palët dhe me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe miqësi, Bullgaria është e detyruar të na mbështesë, të mos na bllokojë”, është decid Murtezani.

Lidhur me Agjendën e Reformës, lidhur me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me të cilin vendi duhet të marrë 750 milionë euro, ministri garanton se nuk do të ketë probleme gjatë zbatimit të tij.

“Në vitin 2024 parashikohen katër hapa me vlerë 17 milionë euro. Nga këto katër hapa, dy janë përfunduar tashmë, njëri është përfunduar pjesërisht dhe tjetri është drejt përfundimit. Nisur nga kjo dinamikë, mendoj se nuk do të kemi probleme të mëdha gjatë zbatimit, sidomos për faktin se unë personalisht si ministër kam pasur takime koordinuese me të gjithë ministrat që janë pjesë e

agjendës së reformës dhe si Ministri, ne kemi në dispozicion një numër të madh instrumentesh përmes të cilave mund t'i mbështesim ministritë e tjera”, thekson Murtezani.

Ai thotë se për pagesën e këstit të parë prej 52.5 milionë euro kishim dy parakushte – Marrëveshjen për instrumentin për zhvillim dhe ratifikimin në Kuvend dhe Marrëveshjen për debi pra kredi dhe ratifikimi i saj në Kuvend.

“Koti janë miratuar në Qeveri, unë e kam nënshkruar marrëveshjen për instrumentin e zhvillimit pritet që Kuvendi t'i ratifikojë shumë shpejt. Megjithatë, duke qenë se bëhet fjalë për një grup të ri reformash jo vetëm për vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor, por edhe për Komisionin Evropian, afatet fillestare, në dhjetor të vitit 2024 janë zhvendosur në fund të shkurtit dhe periudha e parë raportuese për reformat e zbatuara, që ishte 15 janari, është zhvendosur për në 15 mars. Kjo është një kohë shtesë që na jep një mundësi tjetër për t'u konsoliduar më tej. Pagesat e mëtejshme do të bëhen pas vlerësimeve, përkatësisht raporteve gjashtëmujore”, thotë Murtezani.

Ai shton se pagesat e ardhshme do të varen nga dinamika e zbatimit të reformave.

I pyetur nëse është befasuar nga emrat e fundit në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara, ai thotë se nuk është habitur.

„Duket se vetëm BDI-ja ende altron se është habitur. Ata duket se nuk e kanë kuptuar mesazhin nga “lista e zezë” e mëparshme e Ramiz Merkos, që ishte një mesazh i qartë se qeverisja korruptive apo përdorimi i pushtetit dhe partneritetet strategjike për pasurim personal nuk janë standarde amerikane, nuk janë standarde europiane. Megjithatë, mendoj se kjo ishte një ndërhyrje kirurgjikale dhe ne si qeveri e re duhet të kuptojmë edhe mesazhin që procesi i reformës dhe drejtimit të vendit të bëhet në përputhje me ligjet dhe në të mirë të qytetarëve. Të gjithë ata që deri më tani kishin monopol në procesin euroatlantik, një nga një përfundojnë në “listat e zeza amerikane”, thotë Murtezani.

Sa i përket akuzave të BDI-së se Koalicioni Vlen nuk kujdeset sa duhet për të drejtat e shqiptarëve, Murtezani vlerëson se këto tema që BDI-ja po përpiqet t'i hapë tani për opinionin, nuk janë tema për mbrojtjen e shqiptarëve, sepse, siç tha ai, ata qeverisën për 20 vjet dhe 200.000 shqiptarë u larguan nga vendi.

“Këto janë përpjekje të ulëta për të manipuluar opinionin që të mbrohen, sepse janë duke e parë, edhe opinioni tashmë e sheh, se pason një proces përgjegjësie”, tha Murtezani.

Sa i përket planeve strategjike të Ministrisë së Çështjeve Evropiane për vitin 2025, Murtezani tregon se struktura e negociatave është në finalizim.

„Është një operacion kompleks, i cili do të duhet të punësojë nga 1000 deri në 1200 ekspertë nga administrata dhe nga më gjerë, ne marrim pothuajse të gjitha raportet e shqyrtimit, nga 6 klasterë apo grupe 5 janë marrë tashmë dhe ka disa rekomandime që kjo strukturë duhet vënë në funksion, t'i caktojnë institucionet që të punojnë në zbatimin e reformave“, thotë Murtezani.

Ai thekson se po punohet intensivisht për forcimin e infrastrukturës dhe realizimin e programeve IPA.

„Ka hapësirë të madhe për rritjen e kapaciteteve absorbuese, zbatimin e rregullt të rekomandimeve dhe detyrimeve nga struktura e stabilizim-asociimit, që është baza e gjithë procesit të integrimit evropian dhe që është më e rëndësishmja për Planin e Zhvillimit. Më pas finalizojmë vendimin për krijimin e strukturës, sepse siç e dini, me vendim të Qeverisë kemi vetëm një koordinator kombëtar, që jam unë, për të zbatuar reformën, por do të na duhet një sistem i plotë për zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin, për të qenë të sigurt se procesi i zbatimit të agjendës së reformës po shkon ashtu siç duhet dhe nëse diku përballemi me ndonjë problem kemi mundësi të intervenojmë shpejt“, thotë Murtezani në intervistën për MIA-n.

Neda Dimova Prokiq

Foto: Darko Popov

Video dhe montazhi: Vladimir Rabasoviq