U mbajt takimi i parë i Grupit Punues për ndryshime urgjente ligjore, për mbrojtje më të fuqishme të grave viktima të dhunës
- - Me qëllim forcimin e mbrojtjes sistemike të grave viktima të dhunës dhe përmirësimin e kornizës ligjore, sot u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për monitorimin, analizimin dhe dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e legjislacionit kombëtar për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, si dhe për përgatitjen e propozim-ndryshimeve urgjente në legjislacion.
- Post By Fitore Curri
- 15:09, 13 March, 2026
Shkup, 13 mars 2026 (MIA) - Me qëllim forcimin e mbrojtjes sistemike të grave viktima të dhunës dhe përmirësimin e kornizës ligjore, sot u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për monitorimin, analizimin dhe dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e legjislacionit kombëtar për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, si dhe për përgatitjen e propozim-ndryshimeve urgjente në legjislacion.
Siç njoftoi Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në takimin e punës morën pjesë zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve , Gjoko Velkovski, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Grupi Punues do të punojë për ndryshime dhe plotësime në disa ligje, ndër të cilat: Ligji për kompetencat policore; Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje; Ligji për mbrojtje sociale; Ligji për drejtësinë për fëmijët; Ligji për ndihmë juridike falas; Ligji për procedurë penale; Ligji për procedurë civile dhe Ligji për pagesën e kompensimit financiar për viktimat e veprave penale me dhunë", qëndron në kumtesën e Ministrisë.
Anëtarët e Grupit Punues janë përfaqësues të nominuar nga institucione relevante dhe organizata të shoqërisë civile, përfshirë: Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Drejtësisë, sektorin joqeveritar, gjykatat kompetente, Prokurorinë Publike, përfaqësues nga komuniteti akademik dhe nga Kuvendi. Në punën e grupit janë përfshirë gjithashtu edhe bashkëpunëtorë të jashtëm nga sektori ndërkombëtar.
Në takim u konstatua se çdo institucion deri në mbledhjen e radhës duhet të dorëzojë propozime konkrete për ndryshime ligjore, si dhe për ndryshime të akteve nënligjore, rregulloreve dhe protokolleve, në përputhje me nevojat e identifikuara.
Siç u tha nga Ministria, qëllimi është të sigurohet zbatim më efikas praktik i zgjidhjeve ligjore dhe të forcohen më tej mekanizmat për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.
Takimi u zhvillua në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në përputhje me përfundimin e arritur në Sesionin e Jashtëzakonshëm të Organit Koordinues Kombëtar për Zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Foto: Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë