• Thursday, 24 April 2025
English
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Rute në Odesa: NATO qëndron me Ukrainën

Rute në Odesa: NATO qëndron me Ukrainën

Odesa, 15 prill 2025 (MIA) - Jam këtu sot sepse besoj se populli i Ukrainës meriton paqe të vërtetë – siguri dhe mbrojtje të vërtetë në vendin e tyre, në shtëpitë e tyre, deklaroi Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, në lidhje me vizitën e sotme në Ukrainë.

Në një deklaratë të lëshuar nga shërbimi për shtyp i NATO-s, Rute kujtoi se vetëm fundjavën e kaluar, Rusia sulmoi ndërtesa banimi dhe një spital në Odesa me dronë kamikazë.

"Vetëm dy ditë më parë, në Sumi në Ditën e luleve - dita më e shenjtë në kalendarin e krishterë – dy predha balistike ruse kanë vrarë mbi 30 civilë – burra, gra, fëmijë. Më shumë se 100 persona janë plagosur - shumë prej tyre rëndë", tha Rute në një deklaratë të lëshuar pas takimit me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski.

Ai theksoi se ndodhet sot në Odesa për të riafirmuar mesazhin se NATO qëndron me Ukrainën.

"Unë dhe ti (Volodimiri) e dimë që kjo është e vërtetë që në fillim. Gjithashtu di që disa e kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen e NATO-s në muajt e fundit. Por le të mos ketë dyshime. Mbështetja jonë është e palëkundur", shtoi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike të Veriut.

NATO vazhdon të ofrojë mbështetje politike dhe praktike për Ukrainën duke ofruar ndihmë sigurie dhe trajnim përmes komandës në Vizbaden. Dhe ne po punojmë ngushtë në Kiev dhe në Bruksel", tha Rute.

Ai kujtoi se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, aleatët e NATO-s kanë premtuar tashmë më shumë se 20 miliardë euro ndihmë sigurie për Ukrainën këtë vit. mb/

Foto: X