Putini i dhuron portret Trampit
- Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin i ka dhuruar një portret presidentit amerikan Donald Tramp. Putini ia ka dhënë portretin e Trampit të dërguarit të posaçëm të SHBA-së Stiv Uitkof në Moskë në fillim të këtij muaji, konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
- Post By Fami Bajrami
- 08:32, 25 March, 2025

Moskë, 25 mars 2025 (MIA) - Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin i ka dhuruar një portret presidentit amerikan Donald Tramp. Putini ia ka dhënë portretin e Trampit të dërguarit të posaçëm të SHBA-së Stiv Uitkof në Moskë në fillim të këtij muaji, konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
Dhurata u përmend për herë të parë nga Uitkof në një intervistë javën e kaluar me ish drejtuesin e Foks njuz, Taker Karlson. Uitkof i tha Karlsonit se Trampi ishte "habitur" nga portreti të cilin e ka përshkruar si "të bukur".
Uitkof është takuar me Putinin pas bisedimeve me zyrtarë rusë për përfundimin e luftës në Ukrainë. Bisedimet për ndërprerjen e zjarrit vazhduan dje në Arabinë Saudite, ku përfaqësuesit amerikanë u takuan me homologët e tyre rusë, një ditë pas takimit me negociatorët ukrainas.
Gjatë intervistës me Karlsonin, Uitkof kujtoi se si Putini i tha atij se ishte lutur për Trampin vitin e kaluar kur dëgjoi se kandidati i atëhershëm për president të SHBA-së ishte qëlluar në një tubim në Pensilvani. "Ai po lutej për mikun e tij", ka thënë Uitkof, duke rrëfyer komentet e Putinit.
Në vitin 2018, Putini i dhuroi presidentit Tramp një top futbolli. Shërbimi sekret e kontrolloi topin nëse përmban pajisje përgjimi përpara se Tramp t'ia dorëzonte djalit të tij.
Tramp nuk është presidenti i parë në detyrë që merr një dhuratë nga Putini. Në vitin 2021, Putini i dha Xho Bajdenit një set shkrimi me vlerë 12,000 dollarë kur u takuan në samitin e Gjenevës. Ai thuhet se i dërgoi Barak Obamës pjata porcelani dhe gota për espreso në vitin 2013.
Foto: EPA