• Wednesday, 26 March 2025

Koshta: BE-ja po punon me vendosmëri në zgjerimin, në maj do të vizitoj Ballkanin Perëndimor

Koshta: BE-ja po punon me vendosmëri në zgjerimin, në maj do të vizitoj Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 25 mars 2025 (MIA) - Zgjerimi, së bashku me paqen, është arritja më e madhe gjeostrategjike e Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye po punojmë me vendosmëri për zgjerimin me fqinjët tanë nga Ballkani Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë, tha sot kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, duke paralajmëruar se gjatë majit do të vizitojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

"Zgjerimi është investimi më i mirë gjeopolitik që mund të bëjë Bashkimi Evropian. Kjo është arsyeja pse unë vizitova Ukrainën dy herë për katër muaj. Prandaj vizitova Moldavinë në fillim të marsit dhe këtë vit do të mbledhim edhe një samit dypalësh. Kjo është arsyeja pse Samiti i parë që unë kryesova ishte me Ballkanin Perëndimor, një rajon që do ta vizitoj në maj, theksoi Koshta në fjalimin e tij në Qendrën për politikë evropiane (EPC) në Bruksel, me rastin e 68-vjetorit të miratimit të Marrëveshjes së Romës në vitin 1957, me të cilën u hodhën themelet e Bashkimit Evropian të sotëm.

Koshta theksoi se 68 vjet më parë në ditën e sotme, gjashtë liderë evropianë, të shtyrë nga një ndjenjë urgjence dhe guximi, vendosën parimet e eksperimentit më unik në historinë e shtetësisë.

"Vendet që ishin në luftë me njëra-tjetrëm deri dymbëdhjetë vjet më parë, kanë nisur një projekt paqeje, duke bashkuar burimet dhe fuqinë në një fat të përbashkët. Një fat që e ndajnë qytetarët dhe kombet. Një fat që ka siguruar që atëherë peshën dhe qëndrueshmërinë tonë gjeopolitike. Një fat i rrënjosur në vlerat e adoptuara nga çdo komb që ka zgjedhur lirisht t'i bashkohet komunitetit tonë. Një komunitet që është bërë më i madh, më i begatë, më paqësor, më i integruar. Për të mirën e miliona njerëzve", tha Koshta.

Sipas tij, siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, i njëjti besim, guxim dhe kreativitet i baballarëve themelues të BE-së nevojiten edhe sot për t'iu përgjigjur sfidave bashkëkohore.

"Ndjenja kolektive e evropianizmit na ka dhënë mjetet për të vepruar kur paraqiten kriza të reja. Sepse sa herë jemi përballur me krizën, fatkeqësinë dhe zymtësinë, ne kemi dalë prej saj më të fortë dhe më të bashkuar", tha Koshta.

Ai theksoi se pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, "ka pasur shumë zëra që dyshonin në aftësinë tonë për të qëndruar të bashkuar, për të qëndruar të fortë, për t'iu përgjigjur në mënyra të paprecedentë agresionit të paprecedentë".

"Agresioni rus i ka dhënë një ndjenjë të re urgjence autonomisë sonë strategjike jo vetëm në energji, por edhe në mbrojtje. Që atëherë, ajo na ka çuar drejt një përpjekjeje kolektive për të rritur shpenzimet tona të mbrojtjes me më shumë se 30 për qind dhe për të hapur rrugën për vendime që formësojnë Evropën e mbrojtjes", theksoi kryetari i Këshillit Evropian. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s