• Thursday, 17 October 2024

Presidentja Siljanovska Davkova priti ambasadorin finlandez, Niklas Lindkvist

Presidentja Siljanovska Davkova priti ambasadorin finlandez, Niklas Lindkvist

Shkup, 16 tetor 2024 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot e ka pritur ambasadorin e Finlandës, Niklas Lindkvist. 

Në takim, siç njoftuan nga Kabineti i presidentes u theksua se të dyja vendet në 30 vitet e fundit kanë ndërtuar marrëdhënie të forta partneritetit dhe kanë mbajtur dialog aktiv politik, duke promovuar qëllime të përbashkëta dhe interesa strategjike për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë. 

Presidentja Siljanovska Davkova shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Finlandës për integrimin evropian të Maqedonisë dhe ndihmën në përmbushjen e kritereve evropiane, si dhe për bashkëpunim të suksesshëm përmes tuining- projekteve.

"Në takimin me ambasadorin Lindkvist, presidentja rikonfirmoi qëndrimin se institucionet shtetërore mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian konform me kriteret e Kopenhagës dhe e theksoi nevojën për debilateralizimin e procesit për të parandaluar abuzimet e mundshme të ardhshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe në rrugën e vendeve kandidate për në BE", thuhet në kumtesë. 

Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar presidentja theksoi se anëtarësimi i Finlandës në NATO paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit dhe sigurisë transatlantike për të gjithë aleatët dhe gjithashtu e përgëzoi Finlandën për kryesimin e ardhshëm të OSBE-së, duke shprehur gatishmërinë për të ndarë përvojën e Maqedonisë si pjesë e treshes së OSBE-së. Në këtë drejtim u riafirmua gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të KB-së dhe u shpreh pritshmëria për mbështetje të kandidaturave të Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për mundësitë për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, si dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit, inovacionit dhe digjitalizimit. qa/

Foto: Kabineti i presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut