• Saturday, 19 October 2024

Rute: NATO do të vazhdojë me mbështetjen për Ballkanin Perëndimor

Rute: NATO do të vazhdojë me mbështetjen për Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 17 tetor 2024 (MIA) - Duhet të jemi të vetëdijshëm për gjendjen në Ballkanin Perëndimor në kushte kur dialogu Prishtinë - Beograd e cila udhëhiqet me ndërmjetësimin e BE-së nuk po shkon ashtu siç do të donim dhe kur ka tendenca secesioniste për të ndarë Bosnje e Hercegovinën, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës para fillimit të mbledhjes dyditore të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Paktit në Bruksel. 

"Pa dyshim që kjo do të jetë agjenda jonë dhe të jeni të sigurt se do të bëjmë gjithçka dhe e shprehim mbështetjen tonë për Ballkanin Perëndimor", tha Rute. 

Ai shtoi se e përshëndet edhe mbajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit, si pjesë e përpjekjes, para së gjithash Gjermania, për afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, por edhe me NATO-n.

Rute shtoi edhe se NATO do të vazhdoj ta përkrah Ukrainën për aq kohë sa duhet dhe ky është mesazhi për presidentin rus Vlladimir Putin se mbështetja për vendin do të vazhdojë derisa të krijohen kushtet për negociatat paqësore me Rusinë.

"Mund të jeni absolutisht të sigurt se të gjitha 32 aleatë janë bashkuar në mendimin se së bashku do të bëjnë gjithçka që Ukraina të mbizotërojë në terren dhe që Putini të mos marrë atë që dëshiron", theksoi Rute. 

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës shtoi se në darkën e sotme të punës, në të cilën do të bisedohet për Ukrainën, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do t'i njoftojë ministrat për ngjarjet më të reja në vend, por edhe ai do të njoftohet për "përparimin e jashtëzakonshëm të NATO-s" në ofrimin e mbështetjes për Ukrainën.

"Siç e dini në gjysmën e parë të vitit 20,9 miliard euro tashmë "janë në xhepin" (e Ukrainës) dhe kemi hapësirë të mjaftueshme për të dhënë të gjitha 40 miliardë të paraparë deri në fund të vitit", shtoi Rute, duke i përshëndetur njoftimet e fundit nga disa vende, duke përfshirë SHBA-në dhe Australinë, për dërgimin e ndihmës konkrete në Ukrainë.

Lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në NATO, Rute theksoi se në Samitin e qershorit të Aleancës në Uashington u konfirmua se ky është një proces i pakthyeshëm.  

"Kjo do të thotë se në të ardhmen, NATO do të ketë të paktën 32, ndoshta edhe 34 vende dhe në mesin e tyre do të jetë edhe Ukraina", theksoi Rute, duke shtuar se edhe pse deri tani nuk mund të jepet afat konkret për anëtarësim, ajo që për momentin po punohet në mbështetjen për rindërtimin e Ukrainës dhe sigurimin e ndërveprimit të saj me Aleancën, është një urë për anëtarësimin e vendit në Pakt.

I pyetur se çfarë është Rusia për NATO-n, kur është e qartë se vendi nuk është më partner i Aleancës, Rute u përgjigj se edhe në takimin e radhës të ministrave të Jashtëm të Paktit që do të mbahet këtë vit dhe në Samitin e vitit të ardhshëm do të diskutojnë marrëdhëniet e ardhshme të aleatëve me Moskën në afatgjatë, kështu që ai nuk dëshiron ta paragjykojë atë debat.

Lidhur me Bjellorusinë, Rute theksoi se të gjitha dëshmitë tregojnë se Minsku ka mbështetur përpjekjet ushtaraka ruse me infrastrukturë dhe territor dhe këtë e ka bërë në dëm të popullatës së vet.

Ai theksoi edhe se si pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të intensifikuar partneritetet globale, në takim do të marrin pjesë edhe ministrat e Mbrojtjes të vendeve partnere nga rajoni Azi-Paqësor – Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Me ta do të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha, para se gjithash në sferën e inovacionit, prodhimit industrial dhe luftën kundër kërcënimeve hibride dhe sulmeve kibernetike.

Në mbledhjen ministrore të NATO-s merr pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. qa/

Foto: NATO