Pjesëmarrje e ministrit Mucunski në konferencën donatore qeveritare "Romët dhe miqtë"
- Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në konferencën donatore qeveritare "Romët dhe miqtë", kushtuar projekteve për përmirësimin e integrimit të romëve në shoqëri, me theks në strehim, kulturë dhe arsim.
- Post By Fami Bajrami
- 17:19, 21 November, 2024
Shkup, 21 nëntor 2024 (MIA) - Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në konferencën donatore qeveritare "Romët dhe miqtë", kushtuar projekteve për përmirësimin e integrimit të romëve në shoqëri, me theks në strehim, kulturë dhe arsim.
"Është një nder i veçantë për mua që sot të marr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, qëllimi i të cilit është të mbështesë përfshirjen më të madhe të romëve në shoqërinë tonë. Si shoqëri demokratike multietnike, Maqedonia e Veriut është plotësisht e përkushtuar për promovimin e përfshirjes dhe barazisë, me theks në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët tanë", theksoi ministri Mucunski në fjalimin e tij, kumtuan sot nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Ai ka potencuar rëndësinë e Strategjisë kombëtare për përfshirjen e romëve 2022-2030 e cila adreson fushat kyçe si arsimi, punësimi, strehimi, kujdesi social dhe shëndetësor. Theksoi se Qeveria do të vazhdojë përpjekjet e saj për arritjen e kohezionit social dhe zhvillimit të barabartë dhe do t'i qëndrojë me vendosmëri premtimit "askush nuk do të mbetet prapa", në përputhje me Agjendën 2030 të Kombeve të Bashkuara.
Në fjalimin e tij, ministri Mucunski përkujtoi se vendi ynë është lider në rajon në promovimin e të drejtave të romëve, me një kontribut afatgjatë në zbatimin e Dekadës së romëve.
"Prandaj, apeloj që shoqëria jonë të vazhdojë të ndërtohet mbi parimet e inkluizivitetit dhe barazisë, duke krijuar kushte për integrim të plotë social dhe fuqizim ekonomik të komunitetit romë", nënvizoi ministri Mucunski. rq/
Foto: MPJ