• Tuesday, 25 March 2025

Njerëzit e parë të qeverisë amerikane diskutuan për informacione të klasifikuara ushtarake të një aplikacioni të thjeshtë për mesazhe

Njerëzit e parë të qeverisë amerikane diskutuan për informacione të klasifikuara ushtarake të një aplikacioni të thjeshtë për mesazhe

Uashington, 25 mars 2025 (MIA) - Anëtarët e Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-së kanë shfrytëzuar aplikacionin "Sinjali" (Signal) për të biseduar për operacionin e ardhshëm ushtarak kundër Huthëve jemenas, dhe si njëri nga pjesëmarrësit në grupin e mbyllur është gjetur edhe Xhefri Goldberg, kryeredaktor i botimit "Atlantik". 

Në bisedë morën pjesë përfaqësues kryesor të kreut amerikan: ministri i Mbrojtjes, Pit Hegset, sekretari i shtetit Marko Rubio, nënkryetari Xhej Di Vens, këshilltar i Sigurisë Kombëtare Majk Uolc dhe zyrtarë të tjerë të lartë, ose gjithsej 18 persona.

Goldberg iu shtua grupit më 13 mars 2025, vetëm dy ditë para se SHBA-ja të fillonte sulmet e saj ushtarake. Në artikullin e botuar nga "Atlantik", ai shkruan se në biseda janë diskutuar në detaje të gjitha aspektet e operacionit: koha dhe objektivat e sulmeve, reagimi i pritshëm i vendeve të tjera, rreziqet dhe pasojat e mundshme. Kryeredaktori theksoi se nënpresidenti Vens ishte kundër një sulmi të nxituar dhe u përpoq të bindte pjesëmarrësit e tjerë në diskutim, operacionin ta shtynin për më vonë, por qëndrimi i tij nuk pati mbështetje.

Është e paqartë si Goldberg u gjend në grupin që diskutonte çështje të klasifikuara ushtarake, ndërsa ai vetë nuk ka leje për të hyrë në sekretet shtetërore.

Pas fillimit të operacionit ushtarak, Goldberg kërkoi koment zyrtar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Një përfaqësues i këshillit konfirmoi vërtetësinë e bisedës dhe njoftoi se një hetim është duke u zhvilluar për mënyrën se si gazetari fitoi qasje në komunikimin e mbyllur.

Sipas avokatëve që i konsultoi "Atlantik", krijuesi i grupit, Majk Uolc, ka të ngjarë të ketë shkelur disa dispozita të Aktit amerikan për spiunim i cili në mënyrë rigoroze regullon procedurat për trajtimin e informacionit të klasifikuar ushtarak. Ekspertët theksojnë se "Sinjali" nuk është miratuar zyrtarisht nga qeveria si kanal për shkëmbimin e të dhënave të klasifikuara. Në rast të humbjes ose vjedhjes së telefonave të pjesëmarrësve në bisedë, pasojat për sigurinë kombëtare të SHBA-së mund të jenë jashtëzakonisht të rënda.

Me urdhër të presidentit Donald Tramp, më 15 mars 2025, SHBA filloi sulme ajrore të gjera mbi pozicionet e Huthëve në Jemen. Sipas deklaratës së Komandës qendrore të SHBA-së, operacioni synon mbrojtjen e interesave amerikane në rajon dhe garantimin e lirisë së lundrimit. qa/