Një sëmundje e panjohur mori jetën e 143 personave në RD Kongo, kumtuan autoritetet lokale
- Një sëmundje e panjohur ka marrë jetën e 143 personave në jugperëndim të Republikës Demokratike të Kongos në nëntor, deklaruan autoritetet lokale për mediat britanike.
- Post By Fami Bajrami
- 15:45, 3 December, 2024
Kinshasa, 3 dhjetor 2024 (MIA) - Një sëmundje e panjohur ka marrë jetën e 143 personave në jugperëndim të Republikës Demokratike të Kongos në nëntor, deklaruan autoritetet lokale për mediat britanike.
"Të infektuarit kishin simptoma të ngjashme me gripin, duke përfshirë temperaturë të lartë dhe dhimbje koke të rëndë", thanë zëvendësguvernatori i provincës Kvangxhu, Rami Saki, dhe ministri i Shëndetësisë dhe Apolliner Jumba.
Ekipi mjekësor është dërguar në zonën e prekur për të mbledhur mostra dhe për të kryer analiza për ta identifikuar sëmundjen.
"Situata është jashtëzakonisht shqetësuese sepse numri i të infektuarve vazhdon të rritet", deklaroi lideri lokal Keforien Manzanza, transmetojnë mediat britanike. Ai shtoi se është një mjedis rural dhe për këtë shkak ka probleme me dërgimin e barnave.
Saki dhe Jumba thanë se të sëmurët po vdesin në shtëpitë e tyre për shkak të mungesës së trajtimit të duhur.
Epidemiologu vendas deklaroi se nga kjo sëmundje më së shumti janë të prekur gratë dhe fëmijët.
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë sot deklaroi se ata ishin lajmëruar për infeksionin një javë më parë dhe se po punojnë së bashku me Ministrinë e Shëndetit Publik të RD Kongo për të hulumtuar sëmundjen. rq/
Foto: arkivi i MIA-s