• Wednesday, 26 March 2025

Në listën e vetme zgjedhore për diasporën shqiptare 245.808 persona, më së shumti në Itali dhe Greqi

Në listën e vetme zgjedhore për diasporën shqiptare 245.808 persona, më së shumti në Itali dhe Greqi

Tiranë, 24 mars 2025 (MIA) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë informoi se në listën e vetme zgjedhore për diasporën janë mbi 245 mijë qytetarë shqiptarë të cilët duhet ta shfyrtëzojnë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare më 11 maj. 

 “Është përcaktuar lista e vetme zgjedhore dhe duhet të votojnë 245.808 persona në diasporë. Numër më të madh të qytetarëve që do të votojnë nga jashtë ka në Itali 91.210 persona, pas saj vjen Greqia me 68.292. Më pas renditen Gjermania me 25.491, SHBA-ja me 20.669 dhe Britani e Madhe me 17.583”, njoftoi KQZ.

Vlerësohet se jashtë shtetit amë jetojnë dhe punojnë mbi 1,1 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote. Për votim janë regjistruar mbi 294.000 persona, por rreth 50.000 aplikimet u janë refuzuar për shkak të mungesave të ndryshme. 

Fletët e votimit do të dërgohen në adresën e tyre të shtëpisë, në vendin ku jetojnë dhe punojnë, të cilët pastaj duhet t’i kthejnë prapa. Shpenzimet mbulohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të cilët bashkë me shtypjen e fletëve, do të jenë mbi 12 milionë euro. 
 
Nëse procesi zhvillohet sipas afateve të parapara, në periudhën prej 8 deri më 16 prill planifikohet të përfundojë dërgesa e fletëve të votimit. 

Zgjedhjet parlamentare të majit janë të 11-ta me radhë, pas rënies së regjimit komunit, në të cilat për herë të parë të drejtë vote ka edhe diaspora. 

Vijon konfirmimi në listën e vetme zgjedhore prej të cilës do të fshihen të regjistruarit nga diaspora. 

KQZ gjithashtu informoi se emrat e 16 kandidatëve për deputetë janë dhënë në kontroll themelor në Prokurori. fc/