
15:00 / 18 mars / 2025
Shkup - Numri i personave të hospitalizuar të cilët morën djegie në zjarrin në diskotekën në Koçan kalon 160-170 së bashku me 16 të pranuar në spitalet private. Në një afat të shkurtë, për 24 orë të gjithë janë nën përkujdesje dhe ndaj të gjithëve është vepruar në mënyrë adekuate, ndërsa mbi 70 pacientë janë transportuar jashtë vendit. Duke qenë se janë mbushur kapacitetet te fqinjët, nga sot do të dërgohen pacientë edhe në Itali, Holandë dhe Belgjikë. Ekipi i mjekëve nga Çekia dhe Izraeli po u ndihmojnë mjekëve tanë, ndërsa një ekip nga Britania do të mbërrijë sot në vend për të ndihmuar në përgatitjen e fazës tjetër - rehabilitimin e të lënduarve, tha drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski i cili e vizitoi SPQ "8 Shtatori" së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski. Sipas Klekovskit, të gjithë pacientët janë gjallë dhe siç theksoi, ky është një sukses i madh, ndërsa ata në gjendje kritike janë dërguar në qendra të specializuara jashtë vendit.
Shkup - Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i ka dërguar letra ngushëllimi për të vdekurit në tragjedinë e ndodhur në Koçan, presidentes Gordana Siljanovska Davkova dhe kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Nga Ambasada e Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut njoftuan se letër ngushëllimi ka dërguar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se lëshimi për kontrollimin nëse një diskotekë apo kabare e caktuar i plotëson kushtet është bërë me ndryshimet në Ligjin në vitin 2007, sipas të cilave personi juridik vetë pohon se i plotëson kushtet dhe më pas nuk janë bërë kontrolle nga ana e inspektoratit, gjegjësisht veprohet pas raportimit. Për tejkalimin e mangësive të tilla, ai ka paralajmëruar sot ndryshime në Ligjin për gastronomi, për të cilën do të formohet grup punues. Ai bëri të ditur se nga dje organet e tjera brenda institucioneve të tyre kanë formuar komisione për të kontrolluar të gjitha licencat në vend. Pas vizitës së të lënduarve nga zjarri në diskotekën në Koçan, Mickoski tha se me aksionin e iniciuar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) për zbulimin e licencave të kundërligjshme, asnjë objekt i vetëm që nuk i plotëson kushtet minimale teknike, siç thuhet në ligj, nuk do të lejohet të funksionojë.
Shkup - Në afërsi të diskotekës "Puls" ka qenë një depo me karburante ku nga zjarri që ka rënë herët në mëngjesin e së dielës kanë humbur jetën 59 persona dhe mbi 150 janë lënduar. Depozita e naftës ka qenë në një objekt tjetër dhe u zbulua nga një teknik i vendit të krimit. Nga Brigada e Zjarrfikësve të Koçanit kanë konfirmuar për MIA-n se në afërsi të diskotekës ka pasur një depozitë me naftë, por se ai ka qenë i një objekti tjetër. Nga atje nuk e dinë saktësisht nëse dhe sa naftë kishte në rezervuar. Informacioni është konfirmuar edhe nga Prokuroria.
Shkup - Edhe dje edhe sot i vizitova të lënduarit që pasuan nga zjarri në klubin "Puls" në Koçan dhe kam ndjekur të gjitha protokollet e kërkuara nga ana e stafit mjekësor dhe drejtorët. Këtë nuk e bëj për piar, por që të dal para mediave dhe të flas hapur për gjithçka me të cilën po ballafaqohemi në këtë moment, tha kryeministri Hristijan Mickoski. "Edhe dje edhe sot as do të dëgjoni apo lexoni emrin e një pacienti që kam vizituar. Ka nga ata që kanë hyrë me kamera e të ngjashme, por unë nuk kam ndërmend të bëj ndonjë piar nga e gjithë kjo. Ka vetëm foto të pjesës së pasme të kokës dhe asnjë pacient askund. Qëllimi im gjatë këtyre vizitave është që të dal para jush, të mos fshihem dhe të flas hapur për gjithçka që përballemi dhe për gjithçka që po bëjmë", tha Mickoski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas vizitës së sotme të të lënduarve në Spitalin ushtarak "8 Shtatori" në Shkup.
Shkup - Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka falënderuar Belgjikën dhe ministrin e Jashtëm, Maksim Prevot, për mbështetjen e tyre pas tragjedisë së rëndë në Koçan. Në një deklaratë, Fetai bëri të ditur se Belgjika ka dërguar menjëherë ekipet e B-FAST me personel mjekësor për të ndihmuar në terren. "Sot kam zhvilluar një shkëmbim me ministrin e Jashtëm të Belgjikës, Maksim Prevot i cili ka shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e tij pas tragjedisë së rëndë në Koçan. Tragjedia në Koçan na ka treguar qartë se sistemi ynë ka nevojë për reforma urgjente. Kjo do të jetë në fokusin tonë në mbledhjen e sotme të Qeverisë", ka deklaruar Fetai.
Shkup - Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov është nënshkruar në Librin e zisë që është hapur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme me rastin e ngjarjes tragjike në Koçan. “Shpreh ngushëllimet e mia të thella për jetët e humbura tragjikisht të të rinjve në Koçan. Kjo fatkeqësi na tronditi të gjithëve, duke lënë dhimbje dhe trishtim të pamasë. Të lënduarve, të cilët po trajtohen në spitalet e vendit dhe jashtë, u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë. Qytetarëve u dërgoj mesazh të qartë – përgjegjësi do të ketë dhe drejtësia do të vihet në vend! Ministria e Drejtësisë dhe unë si Ministër do të bëjmë gjithçka që është në kompetencën tonë që e vërteta të dalë në shesh dhe përgjegjësit të përballen me pasojat! Drejtësi do të ketë!”, thotë ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski për shkak të tragjedisë në diskotekën në Koçan ka marrë vendim për shkarkimin e shefave, ndihmësve dhe komandantëve në Shtip dhe Koçan, konfirmuan për MIA-n nga MPB-ja.
Shkup – Qyteti i Shkupit ndau gjashtë milionë denarë për familjet e të pësuarve në zjarrin në Koçan në të cilin humbën jetën 59 persona, ndërsa mbi 150 janë lënduar. Kjo është ndihma e parë të cilin e ndan Qyteti i Shkupit, ndërsa shumë shpejtë do të ndahet edhe tjetër ndihmë. Kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski tha se mjetet do të transferohen në llogarinë e dedikuar për donacione në Kryqin e Kuq.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se a do të ketë përgjegjësi nga kryetari i komunës së Koçanit në lidhje me zjarrin në diskotekë, paralajmëroi se organet e hetuesisë gjatë ditës do t'i kontrollojnë të gjitha dokumentet në komunë. Ai është i qëndrimit se askush nuk do të mbrohet dhe secili qw ka ndonjë faj në lidhje me ngjarjen do të përgjigjet. "Prokuroria do të përcaktojë nëse dhe në çfarë mase është përgjegjës kryetari i komunës. Kryetari i komunës në dorëheqjen e tij shkruante se qëndron në dispozicion për gjithçka. Nuk ikë. Këtu është. Sot, me sa di unë, organet e hetuesisë do të hyjnë edhe në komunë. Do të kontrollojnë të gjitha dokumentet. Nëse ju sot insistoni se ai është VMRO-DPMNE dhe gjoja ne e mbrojmë, jo, po gënjeheni. Asnjë nuk do ta mbrojmë. Shën VMRO-ja të jetë, dhe unë të jem, motër, vëlla ta kem, do të mbajë përgjegjësi nëse ka çfarëdo faji", deklaroi Mickoski pas vizitës ndaj të lënduarve nga rasti tragjik në komunën e Koçanit në SPQ "8 Shtatori" Shkup.
Shkup – Për një orë e gjysmë Qeveria do të mbajë mbledhje në të cilën do të konfirmohet Vendimi për mbulimin e shpenzimeve të dy anëtarëve të familjeve të pacientëve të cilët do të shtrohen në spitale jashtë shtetit, informoi sot kryeministri Hristian Mickoski pas vizitës në SPQ “8 Shtatori”. Siç tha Mickoski, sipas Vendimit, është paraparë të mbulohen shpenzimet për transport dhe akomodim. Kryeministri bën thirrje që çdonjëri që ka qenë në perimetrin e ngjarjes tragjike të lajmërohet në mjek, pavarësisht a ndjen probleme ose jo.
Shkup – Vijon periudhë e motit të qëndrueshëm me temperatura të ulëta të mëngjesit të cilat deri të premten kudo do të jenë nën zero. Temperaturat e ditës do të jenë në rritje, njoftoi DPHM. Temperatura minimale e mëngjesit do të bie deri në minus nëntë, ndërsa ajo maksimale e ditës do të arrijë 22 gradë.
Tetovë – Filloi debati kryesor për rigjykimin për spitalin modular në Tetovë i cili deri më tani ishte shtyrë katër herë. Drejtorët e atëhershëm Florin Besimi dhe Artan Etemi të cilët akuzohen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë. Gjithashtu edhe përfaqësuesi i personit juridik ISHP Spitali Klinik për veprën “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” theksoi se nuk ndjejnë përgjegjësi. Pas deklarimit gjykatësi i ri udhëheqës Rexhep Musa caktoi pauzë gjysmë ore. Gjykata e Apelit në Gostivar në prill të vitit 2024 mori vendim që përsëri të ketë gjykim për dy ish drejtorët dhe Spitalin Klinik si subjekt juridik. Procesi duhej të fillonte më 26 qershor të vitit 2024, por u shty për 25 shtator 2024, pastaj për 5 nëntor 2024 dhe për 15 janar 2025.
Koçan - Në këtë moment në ndërtesën e Komunës së Koçanit kanë hyrë përfaqësues të institucioneve kompetente, të cilët duhet ta marrin dokumentacionin e nevojshëm lidhur me kompetencat e administratës komunale rreth lejeve dhe punës së diskotekës "Puls". Nga Ministria e Punëve të Brendshme e konfirmojnë informatën, por nga Prokuroria tani për tani nuk ka informatë zyrtare nëse prokurorë të tyre kanë hyrë në ndërtesën komunale.
Tiranë - Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ai i Kroacisë Ivan Anushi dhe homologu i Kosovës Ejup Maqedonci kanë nënshkruar sot në Tiranë marrëveshje tripalëshe ushtarake që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta. Bashkëpunimi synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tri vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së Mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.
Athinë - Dy vajzat dhe djaloshi të moshës prej 19, 25 dhe 26 vjeç, të cilët prej të dielës janë hospitalizuar në spitalin Papanikollau në Selanik janë në gjendje kritike dhe ende nuk mund të thuhet se janë jashtë rrezikut për jetë, sipas drejtoreshes së Repartit për djegie në spitalin e Selanikut, Sofija Papadopullu, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Pas vizitës së ministrave Mucunski dhe Taravari në spital, dr. Papadopullu në deklarata për media sqaroi se tre pacientët kanë prej 15 deri 25 për qind djegie në trup, për çka dy nga pacientët sot për herë të dytë do të operohen, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme edhe pacienti i tretë, por theksoi se ajo që është me serioze, është se kanë thithur tym.
Athinë - Dëshiroj të them edhe një herë se Qeveria greke mbështet fqinjët tanë dhe jemi në dispozicion për të ndihmuar në çdo gjë që është e nevojshme me dëshirën që një tragjedi e tillë të mos përsëritet askund, tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Tasos Haxivasiliu, pasi me ministrat Timço Mucunski dhe Arben Taravari dhe zëvendësministrin grek Kostas Julekas e vizituan spitalin Papanikolau në Selanik ku janë të hospitalizuar tre të lënduar, njofton korrespondentja e MIA-s në Athinë. Zëvendësshefi i diplomacisë greke theksoi se “që në momentin e parë të ngjarjes tragjike, Qeveria e Greqisë tregoi solidaritet dhe humanizëm me popullin e Maqedonisë së Veriut”.
Athinë - Tre të lënduarit, të cilët gjatë natës nga Shkupi me aeroplan C-27 të Forcave Ajrore Greke janë transferuar në Athinë dhe janë shtruar në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak 401, sipas informacioneve të korrespondentes së MIA-s nga Athina, janë në gjendje relativisht të mirë. Sipas të njëjtave informacione, bëhet fjalë për të rinj të moshës 22 deri në 24 vjeç, të cilët kanë pësuar djegie nga zjarri dhe po trajtohen për masa paraprake në Repartin e Mjekimit Intensiv të Spitalit Ushtarak të Athinës.
Sarajevë – Sot në Bosnje e Hercegovinë është Ditë zie për shkak të tragjedisë në Koçan, për të cilin shkak flamujt në ndërtesën e Presidencës së BeH dhe në institucionet tjera do të ulen në gjysmështizë. Qeveria e Federatës së BeH-së në seancën e djeshme urgjente e shpalli 18 marsin Ditë zie. Vendimi është marrë për të shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.
Gjenevë - Përshpejtimi i popullimit te izraelitëve në territoret e pushtuara palestineze është e barabartë me krime lufte, deklaroi komisari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Folker Turk. Zyra e komisarit të lartë në një raport tha se kishte vërejtur shkelje të izraelitëve sa i takon ligjit ndërkombëtar. Përderisa vendimi përfundimtar për krime të tilla i takon gjykatave, Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë momentalisht po heton kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe udhëheqësit militantë palestinezë për krime të mundshme lufte.
Gjenevë - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (KB), Antonio Guteresh është "i tronditur nga sulmet izraelite" në Rripin e Gazës, deklaroi sot një zëdhënës i KB-së. “Guteresh ka dërguar një apel urgjent për respektimin e armëpushimit, rivendosjen e ndihmave humanitare dhe lirimin e pakushtëzuar të pengjeve të mbetura", deklaroi zëdhënësi Rolando Gomez. Komisari i lartë i KB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk tha se ishte i tmerruar nga bombardimet e vazhdueshme izraelite dhe bëri thirrje për një "fund urgjent të makthit
Bruksel - Maqedonia e Veriut vazhdon të demonstrojë përkushtim për integrimin në BE dhe përafrim me politikat e saj, prandaj Parlamenti Evropian bën thirrje për përparim të shpejtë në negociatat e anëtarësimit, por në të njëjtën kohë thekson rëndësinë e miratimit të amendamenteve kushtetuese për të cilat është rënë dakord, citohet në projekt-raportin e raportuesit të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së (AFEP), Tomas Vajc, në të cilin pati qasje MIA. “(Parlamenti Evropian) inkurajon të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut që të angazhohen në një dialog konstruktiv për të arritur konsensusin e nevojshëm për këto amendamente, të cilat do të forconin karakterin multietnik të vendit dhe do të përshpejtonin përparimin e tij drejt anëtarësimit në BE”, citohet në tekstin e draft raportit, i cili do t'u prezantohet sot anëtarëve të Komisionit.
Bruksel - Kemi mundësinë që përfundimisht ta “zhbllokojmë” procesin për fillimin real të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, porositi sot raportuesi i Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) për vendin, Tomas Vajc duke prezantuar Draft- raportin e PE-së për vendin. "Raporti fokusohet në aktivitetet e nevojshme dhe vendimet që duhet t'i miratojnë Qeveria dhe Parlamenti i Maqedonisë së Veriut në lidhje me ndryshimet kushtetuese që janë në tryezë. Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë përfshirjen e disa pakicave në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe dua të sqaroj vetëm një, kjo është kërkesë që Maqedonia e Veriut duhet ta përmbushë në përputhje me kërkesat dhe standardet që ndërlidhen me anëtarësimin në BE. Bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese që lidhen me legjislacionin e BE-së", ka deklaruar Vajc duke shtuar se duhet të jetë e qartë se në rrugën evropiane të vendit këto nuk do të jenë ndryshimet e fundit kushtetuese që do të duhet të bëhen.