• Wednesday, 19 March 2025
MIA FLESH

18:00 / 18 mars / 2025

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, dr. Arben Taravari, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski dhe dr. Ilir Vela, sot në orët e hershme të mëngjesit arritën në Selanik për të vizituar dhe për t’u informuar mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve të hospitalizuar. “Vizituam Spitalin e përgjithshëm Papanikolau dhe Spitalin ushtarak në Selanik dhe në këtë moment mund të informoj se të gjithë pesë pacientët e pranuar në këto institucione janë në gjendje stabile. Shpreh mirënjohje të sinqertë ndaj kolegëve tanë në Selanik, si dhe ndaj popullit dhe qeverisë greke, për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre, si dhe për ndihmën që na ofruan në këto momente”, deklaroi ministri Taravari.

Shkup - Obduksioni i të vdekurve në zjarrin në diskotekën në Koçan ka përfunduar sot, njoftoi pasdite ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Në konferencën për shtyp, Toshkovski tha se në aksidentin tragjik janë lënduar gjithsej 196 persona. Prej tyre, 93 trajtohen në klinikat në Shkup, ndërsa 80 në spitalet jashtë vendit. 

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski konfirmoi se në afërsi të diskotekës në Koçan ka pasur një depozitë nafte, por se ajo ishte e zbrazët dhe se sipas informacioneve fillestare nuk është i ndërlidhur me strukturën pronësore të diskotekës. "Sipas informacioneve që i kam marrë, është e vërtetë se ka ekzistuar një pikë karburanti dhe një rezervuar në tokë, i cili sipas informacioneve fillestare ka qenë bosh dhe nuk është përfshirë në zjarrin që ka rënë. Struktura pronësore nuk është e ndërlidhur me njëra-tjetrën, e as pronari i pompës së benzinës nuk është i ndërlidhur me strukturën menaxhuese që figuron si organizator i diskotekës", tha Toshkovski në një konferencë për media pasditen e sotme.

Shkup - Qeveria sot në seancë e ka obliguar Ministrinë e Financave që të sigurojë 30 milionë denarë dhe t'i transferojë Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP) për të ndihmuar në transportin dhe akomodimin e familjarëve të të lënduarve rëndë nga zjarri në Koçan të cilët po mjekohen jashtë vendit. Vendimi që u paralajmërua është zyrtarizuar në seancën e Qeverisë dhe në konferencë për shtyp pasdite e kumtoi zëdhënësja e Qeverisë Maria Miteva. "Në këtë moment mund të informoj publikun se për 58 persona është siguruar transport dhe akomodim. Ky vendim do të vlejë edhe për ata persona që janë larguar para se të merret ky vendim dhe pagesat shtesë mund të bëhen në mënyrë shtesë", tha Miteva

Shkup - Shefat e DPB Koçan dhe SPB Shtip janë shkarkuar për të siguruar hetim plotësisht të pavarur dhe efikas dhe ky vendim nuk paragjykon asnjë faj, deklaroi sot në pres konferencë ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. "Me qëllim që të sigurohet hetim i plotë i pavarur dhe efikas, kam marrë vendim për shkarkimin e personave udhëheqës në policinë lokale në DPB Koçan dhe SPB Shtip dhe zëvendësimin e tyre me nëpunës policorë të cilët nuk janë nga këto vende, gjegjësisht të gjithë nga Shkupi. Një vendim i tillë nuk paragjykon asnjë faj, por është një hap i cili duhet të garantojë që procesi të zhvillohet pa presion, dyshim apo ndikim", theksoi Toshkovski.

Shkup - Për rastin me zjarrin në diskotekën në Koçan deri më janë arrestuar 18 persona, ndërsa janë shoqëruar 16 të tjerë. Gjithsej janë intervistuar 71 persona, prej të cilëve 42 në Shkup dhe 29 në Koçan. Për 14 persona është shqiptuar masë arresti prej 48 orëve, njoftoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Njëmbëdhjetë personave u janë caktuar masa arresti për dyshimin për kryerjen e "krimeve të rënda kundër sigurisë publike", ndërsa tre persona janë arrestuar për "punë jo tl denjë". Toshkovski sot në një konferencë për media në MPB, informoi se i arrestuari i fundit akuzohet për "krime të rënda kundër sigurisë publike" në lidhje me shkaktimin e rrezikut publik dhe është nënshkrues i njërit prej dokumenteve të nevojshme për vënien në funksion të klubit kabare.

Shkup - Gjendja e 14-të të lënduarve në zjarrin në Koçan që po mjekohen në Bullgari edhe më tej është kritike, njoftoi Ministria e Shlndetësisë në Faqen e saj të Fejsbukut. Tetë pacientët e shtruar në Spitalin universitar dhe Qendrën mjekësore N.I Pirogov janë në ventilim mekanik dhe qëndrojnë në terapi intensive. Sipas informacioneve nga spitali i Varnës, tre pacientët që janë tek ata janë në gjendje të rëndë, dy janë në ventilim mekanik dhe njëri po përdor maskë hundore për mjekim me oksigjen.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski informoi se pas zjarrit që shpërtheu në diskotekën në Koçan, ekipet e MPB-së, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Inspektorati Shtetëror  i Tregut sot veprojnë në disa lokacione, ndërsa në kuadër të kontrollit nuk janë përfshirë vetëm objektet me licencë formale, por në ditët në vijim lëndë e kontrollit  të plotë që përdoren si diskoteka, kabare dhe klube.  "Të përfshirë në këtë kontroll nuk janë vetëm objektet që kanë licencë formale, të vlefshme apo të pavlefshme, do të shohim më vonë në procedurë, por edhe të gjitha ato objekte që shfrytëzohen si diskoteka, kabare, klube, të cilat do t'i nënshtrohen kontrollit të plotë në ditët në vijim, konform konkluzionit të Qeverisë", tha Toshkovski në konferencën e sotme për shtyp

Shkup - Deri më tani për gjithsej 16 persona është caktuar paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh lidhur me zjarrin në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën 59 persona, ndërsa mbi 150 janë lënduar. "Deri në këtë moment Prokuroria Themelore Publike në Koçan  ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit afatshkurtër për 16 persona. Propozimet janë pranuar dhe masa është caktuar për të gjithë", thonë  nga Prokuroria Publike e Shtetit.  Në mesin e të arrestuarve janë ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski.

Tetovë - Të akuzuarit në spitalin modular në Tetovë, në rigjykimin që filloi sot në Gjykatën Themelore të Tetovës, u deklaruan të pafajshëm. Pas rreth pesë orë nga shqyrtimi kryesor, gjatë të cilit janë prezantuar video xhirimet në Spitalin Klinik të Tetovës nga 8 shtatori i vitit 2021, kur ka rënë zjarri, Gjykata ka vendosur që seanca të vazhdojë më 3 prill në ora 10:00. Në seancën e sotme përfaqësuesi i aktakuzës i lexoi titujt e dëshmive, ndërsa për disa prej tyre mbrojtja ngriti kundërshtime. Më pas, Prokuroria për pothuajse tre orë transmetoi video materiale të grumbulluara në fazën e hetimit. Janë transmetuar video xhirime nga video mbikëqyrjet në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës më 8 shtator të vitit 2021, kur ka shpërthyer zjarri, si dhe video materiali i xhiruar nga një ekip televiziv i destinuar për raportim gazetaresk më 1 shtator të vitit 2021.

Shtip - Varrimi i 59 viktimave që humbën jetën në zjarrin në Koçan është caktuar të enjten, 20 mars, kumtoi sot drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Stojançe Angelov i cili mbajti konferencë të përbashkët me mitropolinë e dioqezës së Bregallnicës, z.Ilarion. "Në varrim do të marrin pjesë kryesuesi i KOM-it, z.z Stefan, do të ketë dhe disa peshkopë nga Sinodi, më shumë peshkopë nga Sinodi. Kisha po bën gjithçka që mundet që këta fëmijë të dërgohen në mënyrën më dinjitoze nga ana e shtetit, është marrë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar një varrim dinjitoz i cili megjithatë nuk do të zvogëlojë dhimbjen e atyre që humbën fëmijët e tyre kaq të rinj", deklaroi Angellovi.

Zagreb - Dy persona të lënduar nga zjarri në diskotekën në Koçan, mëngjesin e sotëm janë transferuar për mjekim në Klinikën e Traumatologjisë në Qendrën Spitalore Klinike "Sestre milosrdice" në Zagreb, ndërsa sot pritet transporti i dy pacientëve të tjerë. Tihana Magdiq Turkoviq, shefe e Departamentit të Anesteziologjisë dhe Kujdesit Intenziv në Klinikën e Traumatologjisë, KBC, në një deklaratë për HRT, ka treguar se tek ata janë sjellë dy djem, njëri prej të cilëve është i mitur.

Bruksel - Eurodeputetët në fjalimet e tyre pas prezantimit të draftit të raportit nga raportuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) për vendin, Tomas Vajc, shprehën mbështetje për integrimin evropian të Maqedonisë, por gjithashtu theksuan nevojën për të miratuar ndryshimet kushtetuese dhe për të zbatuar reformat e nevojshme për përafrimin me BE-në", njoftoi korrespondenti i MIA-s në Bruksel. Deputeti slloven Matej Tonin nga Partia Popullore Evropiane (PPE) dhe raportuesi për vendin në hije vlerësoi se ai kishte bërë përparim të rëndësishëm në rrugën evropiane në vitet e fundit dhe kishte forcuar konkurrencën e saj përmes reformave, kryesisht në transformimin digjital, politikën ekonomike dhe transportin.

Londër - Kryeministri britanik Kir Starmer ka informuar presidentin amerikan Donald Tramp për bisedimet midis përfaqësuesve të "koalicionit të të përgatiturve" për përforcimin e Ukrainës dhe për të siguruar mbështetje në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, kumtoi sot zëdhënësi i tij. Zëdhënësi theksoi se Starmeri dhe Trampi kanë biseduar mbrëmë vonë. "Gjatë bisedës, kryeministri e informoi presidentin Tramp për video-konferencën e "koalicionit të të përgatiturve" që u mbajt të shtunën.....Starmeri përsëriti se të gjithë duhet të punojnë së bashku për ta vendosur Ukrainën në pozicionin më të fortë të mundshëm për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në luftën me Rusinë", tha zëdhënësi i kryeministrit britanik, transmetojnë nga  Independent.

Uashington - Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se grupi i Hamasit ka zgjedhur luftën  me atë që ka refuzuar  që t'i lirojë pengjet në Rripin e Gazës, raportuan mediat franceze. Izraeli gjatë natës i kreu sulmet e tij më intensive në enklavë që nga 19 janari, kur hyri në fuqi marrëveshja për armëpushim në Gazë. "Hamasi mund të kishte liruar pengjet për të vazhduar armëpushimin, por refuzoi dhe zgjodhi luftën", tha  Brajan Hjuz,  zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së në kumtesë. 

Gazë - Numri i viktimave nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 413, njofton DPA, duke cituar autoritetet shëndetësore në enklavën palestineze e cila kontrollohet nga Hamasi. Në sulm janë lënduar të paktën 600 persona. Izraeli sot filloi një ofensivë të re në Gazë, duke i dhënë fund armëpushimit me grupin islamik. Ekziston frika e një ripërtëritjeje të plotë të luftës, thekson DPA. "Shumë struktura shëndetësore janë të mbingarkuar fjalë për fjalë" pas granatimeve të reja, kumtoi sot Federata ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.