12:00/ 24 janar/ 2025
Shkup – Ligji është i qartë dhe ai thotë se çdo dokument elektronik i cili është përgatitur nga një organ shtetëror, mund të shfrytëzohet në formën e tij të shtypur, njëjtë si edhe dokumenti origjinal, thotë ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski. “Supozojmë se ekziston rezistencë ose mosdije te disa institucione të caktuara, për këtë kemi qasje të dyfishtë, njëra me të cilën do tu sqarojmë institucioneve si të pranojnë dokumentet, dhe e dyta, përgatisim udhëzim për qytetarët si të mbrojnë të drejtat e tyre, në rast nëse nuk munden, të dinë cila është mënyra në të cilën mund të veprojnë, nëse në vetë vendin ose ta kontaktojnë Ministrinë tonë”, deklaroi Andonovski në pyetjen e gazetarëve për “360 gradë”.
Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës uron Ditën Ndërkombëtare të Arsimit nxënësve, studentëve, mësimdhënësve, prindërve dhe të gjithë atyre për të cilët arsimi është pjesë e rëndësishme e jetës dhe u bën thirrje që të marrin pjesë në proceset e ndërtimit të sistemit edukativo-arsimor të shëndetshëm që plotëson kërkesat e kohës në të cilën jetojmë. "Fëmijët tanë kanë të drejtën për arsim cilësor dhe ata meritojnë që ne të bëjmë shumë më tepër për t'u mundësuar që të zhvillohen si bashkëmoshatarët e tyre evropian. Arsimi është prioritet i kësaj Qeverie. Me buxhetin më të madh ndonjëherë, me gati 40 miliardë denarë, këtë vit do të investojmë në të gjitha segmentet - në shkolla të reja dhe rikonstrukcionin e atyre ekzistuese, në optimizimin e rrjetit të shkollave, në mësimdhënie në një turne dhe qëndrim të zgjatur të nxënësve në shkollë në përforcimin e asistencës arsimore dhe gjithëpërfshirjen e përshtatur për fëmijët, në standardet e nxënësve dhe studentëve dhe arsimin e lartë që ofron njohuri të nivelit të lartë, në forcimin e profesionit të mësimdhënësit dhe në rregulloren që do të jenë themeli i gjithë kësaj", thuhet në kumtesën e MASH.
Shkup – Drejtoria e Policisë Financiare në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup ka parashtruar kallëzim penal kundër I.T. në cilësinë e udhëheqësit të subjektit juridik BAUERFEIND SHPKNJP import – eksport Shkup dhe kundër subjektit juridik BAUERFEIND SHPKNJP import – eksport Shkup. Nga Policia Financiare njoftuan sot se e denoncuara e parë I.T. në periudhën prej 01.01.2014 deri 31.12.2016, me qëllim që përfitojë pasuri të jashtëligjshme për vete dhe për të denoncuarin e dytë subjekt juridik, ka dhënë deklaratë të rreme të vërtetuar në notar me të cilën ka vërtetuar se pajisja ortopedike të cilën e furnizon dhe faturon drejt Fondit të Sigurimeve Shëndetësore është adekuate dhe korrespondon me një pajisje tjetër ortopedike të vërtetuar në Listën e pajisjeve ortopedike dhe pajisjeve të tjera në pjesën e Mjeteve ortopedike -Ortozë mbi gju nën shifrën 2105 në bazë të kritereve nga Rregullorja për indikacionet për realizimin e të drejtës për pajisje ortopedike dhe të tjera, edhe pse ishte e vetëdijshme se pajisja e tillë nuk korrespondon me indikacionet mjekësore dhe diagnozat e përcaktuara në listën e pajisjeve ortopedike për të cilat Vërtetim nëse ka nevojë jep mjeku specialist.
Shkup - Mëngjesi më i ftohtë është në Manastir me -4 gradë, në Prilep -3, në Tetovë -1, dy gradë mbi zero në Shkup, ndërsa më ngrohtë është në Krushevë me 4 gradë. DPHM njoftoi se në Kodrën e Diellit ka shtresë dëbore prej 44 centimetra, në Krushevë 18 dhe në Manastir 11 centimetra. Moti sot nëpër lugina në pjesën më të madhe të ditës do të jetë me mjegull dhe më i ftohtë. Në zonat e mbetura me diell me vranësira mesatare dhe kryesisht i qetë. Në zonat malore veriperëndimore do të ketë kushte për reshje të dobëta shiu. Temperatura maksimale do të jetë në intervalin prej 7 deri në 15 gradë, kurse në lugina me mjegull nga 2 deri në 6 gradë.
Strugë - Në Gjykatën Themelore në Strugë filloi i pari nga katër gjykimet e parapara për sot kundër kryetarit Ramiz Merko - për pllakën në objektin e komunës, dy për drejtorët e shkollave dhe për blerjen e "audisë". Gjykimi i parë sot ka të bëjë me emërimin e paligjshëm të drejtorëve të shkollave dhe është në procedurë provash, duke vazhduar me marrjen në pyetje të ish-ministrit të Arsimit nga BDI, Jeton Shaqiri. Shaqiri, së bashku me shefin e sektorit për financa në Komunën e Strugës, Abedin Nuroski, duhej të merrej në pyetje në seancën e kaluar në tetor të vitit të kaluar është, por nuk ka ndodhur për shkak të mosdorëzimit të duhur tek dëshmitarët.
Zagreb - Në Kroaci sot filloi bojkoti i paralajmëruar i dyqaneve, zingjirëve tregtare dhe pompave të benzinës për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Nisma, e cila rrjedh nga grupi në Fejsbuk “Plo, Inspektor”, pas së cilës qëndron Qendra Evropiane për ekselencë të konsumatorëve (ECIP), ka marrë mbështetje nga shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve, sindikatat, partitë politike, madje edhe nga ministri i Ekonomisë. Thirrja për bojkot është shpërndarë në rrjetet sociale ditët e fundit: “Më 24 janar, në Kroaci po organizohet bojkot kundër çmimeve të larta të ushqimeve”. Apelohen qytetarët që atë ditë të mos blejnë asgjë, absolutisht asgjë. Përgatituni për atë ditë sikur të ishte e diel”, qëndron në porositë.
Sarajevë - Dhoma përfaqësuese e Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës në raundin e dytë të votimit e miratoi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, të propozuar nga deputeti Denis Zvizdiq, me të cilin parashikohet mundësia për falje të dënimit me burg deri në një vit. Sipas propozimit, “dënimi i shqiptuar me burgim deri në një vit me kërkesë të personit të dënuar, do të zëvendësohet me gjobë që paguhet në shumë të njëhershme brenda 30 ditëve”.
Ankara - Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan deklaroi sot se Ankaraja mund të ndërmjetësojë në kontestin ndërmjet Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos. "Ne, si Turqi, jemi të gatshëm të sigurojmë çfarëdo mbështetje të nevojshme për zgjidhjen e kësaj çështje që do të kontribuojë në stabilitetin dhe paqen në rajonin e Liqeneve të Mëdha", ka thënë Erdogani pas takimit me homologun e tij nga Ruanda, Pol Kagame në Ankara.
Budapest - Hungaria kërkon nga Bashkimi Evropian që ta bindë Ukrainën që të rinovojë transitin e gazit nga Rusia në Evropë, deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orban. Kërkesa e tij vjen pasi BE-ja paralajmëroi zgjerimin e sanksioneve kundër Rusisë javën e ardhshme. Budapesti ende nuk ka vendosur nëse do ta mbështesë zgjerimin e sanksioneve të BE-së kundër Moskës që duhet të ndodhë në fund të muajit.
Bruksel - Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) kanë konfirmuar sot se diplomati danez Peter Sorensen do të jetë përfaqësuesi special i bllokut për lehtësim të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sorensen u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas për ta zëvendësuar Miroslav Lajçakun në këtë detyrë. Ministrat e jashtëm të BE-së do të japin miratim përfundimtar të hënën, në mënyrë që Sorensen të fillojë mandatin e tij në fillim të muajit shkurt.
Bruksel – Për shkaqe sigurie Bashkimi Evropian hoqi dorë nga mbajtja e Samitit joformal të BE-së kushtuar mbrojtjes në kështjellën Shato de Limon në afërsi të qytetit belg Liezh dhe mori vendim takimi të mbahet në pallatin Egmont në Bruksel. “Në bazë të vlerësimit të përditësuar të masave të nevojshme për sigurimin e vendit të mbajtjes, tubimi joformal i liderëve të BE-së më 3 shkurt 2025 është transferuar nga Pallati Egmont në Bruksel”, njoftoi Këshilli i BE-së.
Bruksel - Komisioni Evropian do të rekomandojë reduktimin e burokracisë së BE-së në përmasa të papara, si një nga masat për forcimin e ekonomisë jostabile të bllokut gjatë pesë viteve të ardhshme, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli. Ky plan për reduktimin e burokracisë është theksuar në draftin e të ashtuquajturës Busull për konkurrueshmër që e paralajmëroi Komisioni Evropian, ndërsa në të cilin kishte qasje portali i Brukselit “Euractive”. Siç thekson portali, plani bazohet në "mantrën e re" të KE: "Thjeshtëso dhe përshpejto" dhe synon të racionalizojë rregulloret, të shkurtojë procedurat burokratike dhe të rrisë fleksibilitetin.
Bangkok - Tajlanda do ta bëjë pjesën më të madhe të transportit publik në Bangkok falas për një javë në tentim për të reduktuar ndotjen e ajrit, deklaroi sot një ministër i qeverisë. Sistemi hekurudhor në kryeqytetin Skytrain dhe shërbimet e autobusëve do të jenë falas për shfrytëzuesit nga e shtuna, deklaroi ministri i Transportit, Surija Huangroongruangkit. "Shpresojmë që kjo politikë do të ndihmojë në uljen e ndotjes". Ndotja e ajrit në kryeqytetin e Tajlandës ka imponuar mbylljen e më shumë se 350 shkollave sot, bëjnë të ditur autoritetet e qytetit. Kjo është shifra më e lartë në pesë vitet e fundit.
Uashington - Përfaqësues të lartë republikanë në Kongres kërkuan nga agjencitë amerikane të sigurisë të fillojnë në mënyrë më efikase të ballafaqohen me kërcënimet nga organizatat terroriste, siç janë Shteti Islamik dhe Al Kaeda, kumtoi Këshilli për siguri të brendshme të Dhomës përfaqësuese. Vlerësimi i kërcënimit, i publikuar nga Këshilli, theks vendos në sulmin në Nju-Orleans, ku janë vrarë 14 persona, si dhe arrestimi i tetë shtetasve të Taxhikistanit në qershor të vitit 2024, të dyshuar se janë të lidhur me Shtetin Islamik, njoftoi Zëri i Amerikës.
Bruksel - Francezi Rudi Garsia u emërua seleksionues i ri i kombëtares belge në futboll, njoftoi sot Federata belge e futbollit, e cituar nga mediumet lokale. Trajneri francez vjen në vendin e Domeniko Tedesko, i cili javën e kaluar u shkarkoi për shkak të rezultateve të dobëta të kombëtares. Rudi Garsia ishte trajner i ekipeve franceze Lillë, Olimpik Marsejë dhe Olimpik Lion, si dhe i Romës dhe shkurt në Napoli në vitet e fundit.
Mançester - Menaxheri i Mançester Junajted, Ruben Amorim e komentoi ardhmërinë e sulmuesit të krahut të "djajve të kuq", Alehandro Garnaço, i cili e luajti tërë ndeshjen në fitoren e mbrëmshme ndaj Glazgou Renxhersit me rezultatin 2:1 në Ligën e Evropës. "Nuk e dimë se çka mund të ndodh deri sa të mbyllet afati kalimtar i janarit. Gjithçka mund të ndodh. Jam i përqëndruar në ndeshjet, ndërsa ai është këtu, ai është lojtar i Mançester Junajted. Ai me të vërtetë ishte i rëndësishëm për ne në këtë ndeshje dhe do të shohim se çka do të ndodh në ditët në vijim. Mendoj se ka potencial të bëhet shumë më i mirë në çdo situatë të lojës. Atë që dua ta them është se ai kuptoi se çka po tentoj të bëj. Vetëm dua t'u ndihmoj, por në fund ata (lojtarët) janë ata që duhet ta përfundojnë punën", deklaroi Amorim pas ndeshjes së mbrëmshme.