Mesazhi i kreut të BFI-së, Shaqir ef. Fetai me rastin e Fitër Bajramit
- Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir ef. Fetai ka drejtuar një mesazh urimi deri te gjithë besimtarët muslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.
- Post By Fami Bajrami
- 19:09, 19 March, 2026
Shkup, 19 mars 2026 (MIA)- Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir ef. Fetai ka drejtuar një mesazh urimi deri te gjithë besimtarët muslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Në fjalën e tij, Fetai vuri theksin te lartësimi i dinjitetit njerëzor, lufta kundër veseve shoqërore dhe nevoja emergjente për paqe universale. Kreu i BFI-së bëri thirrje për ndalimin e dhunës në botë dhe mbrojtjen e rinisë nga dukuritë negative.
Duke e cilësuar Fitër Bajramin si një “ditë pajtimi”, ai porositi besimtarët që të hapin zemrat, të forcojnë lidhjet familjare dhe të vazhdojnë rrugën e mirësisë edhe pas muajit të agjërimit.
Fetai, mes tjerash përcolli urimet më të sinqerta të gjithë besimtarëve brenda vendit dhe atyre në diasporë, duke u lutur që ky Bajram të sjellë mbarësi, harmoni dhe shpërblime.
“Gjatë gjithë muajit të Ramazanit dëshmuam urtësinë, maturinë, paqen dhe solidaritetin tonë të paluhatshëm. Paqja që kultivuam gjatë Ramazanit dëshmoi se njerëzimi duhet të jetë i përkushtuar ndaj respektimit të vlerave njerëzore, duke shmangur vrasjet, luftërat, masakrat dhe gjenocidet. Fitër Bajrami është gjithashtu një ditë pajtimi dhe afrimi. Është dita kur duhet të hapim zemrat tona, të falim njëri-tjetrin dhe të forcojmë lidhjet familjare dhe shoqërore. Le ta shfrytëzojmë këtë festë për të reflektuar mbi veten tonë dhe për të vazhduar rrugën e mirësisë që e filluam në Ramazan. Gëzuar Fitër Bajramin!,” ka thënë kryetari i BFI-së, Fetai.