Dimitrieska-Koçoska: Po e ndjekim situatën me çmimet, standardi i qytetarëve është prioritet
- Si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme ende nuk kemi absolutisht asnjë ndikim apo transmetim të çmimeve. Situata po ndiqet dhe do të reagojmë në mënyrë të duhur, sipas lëvizjes së çmimit të naftës, tha sonte ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
- Post By Qefsere Abduli
- 21:53, 19 March, 2026
Shkup, 19 mars 2026 (MIA) - Si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme ende nuk kemi absolutisht asnjë ndikim apo transmetim të çmimeve. Situata po ndiqet dhe do të reagojmë në mënyrë të duhur, sipas lëvizjes së çmimit të naftës, tha sonte ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Në një paraqitje në emisionin "Tema e ditës" në shërbimin publik, Dimitrieska-Koçoska njoftoi se nëse kriza përshkallëzohet do të bëhen prioritete dhe riorganizim, por se gjithmonë prioritet do të jetë pagesa në kohë e pagave, pensioneve, ndihmës sociale, dhe gjithçkaje që është e rëndësishme për të mbrojtur standardin e qytetarëve.
Siç tha ajo, aktualisht te ne nuk ka mungesë të naftës dhe derivateve të naftës, as nuk ka goditje të rëndësishme të çmimeve si pasojë direkte e krizës.
"Qytetarët mund të furnizohen pa pengesa me karburant, që do të thotë se nuk ka bazë për vendosjen e masave restriktive të këtij lloji. Sa i përket çmimeve, ato vazhdojnë të jenë më të ulëta krahasuar me një pjesë të rajonit, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për standardin e qytetarëve. Prandaj nuk mund të marrim në mënyrë mekanike masat e vendeve të tjera, pa marrë parasysh gjendjen tonë reale", tha ministrja.
Në kushte të pasigurisë së shtuar globale, të shkaktuar nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, ministrja theksoi se sfida kryesore është paparashikueshmëria e krizës, duke pasur parasysh se as vendet evropiane nuk mund të japin vlerësime të sakta për kohëzgjatjen e saj.
Qeveria, theksoi ajo, sigurisht që do të reagojë dhe do të ndërmarrë masa adekuate.
"Po i ndjekim situatat, më e rëndësishmja është që standardi i qytetarëve të mos cenohet, deri në këtë moment nuk kemi ndonjë çrregullim serioz apo ndonjë ndikim të rëndësishëm. Informacionet nga terreni tregojnë se kemi rritje të çmimit të vajit për gatim, por kjo nuk lidhet me krizën, por me çmimin në bursë të lëndëve të para për prodhimin e tij dhe të vezëve, sërish e lidhur me lëndët e para", tha Dimitrieska-Koçoska.
Kjo, sqaroi ajo, është diçka që ka ndodhur para fillimit të krizës dhe nuk bëhet fjalë për ndryshim çmimesh si pasojë e saj.
Për zgjidhjet ligjore të propozuara për përballimin e krizës nga opozitarja LSDM, ajo tha se "nuk do të dëshironte të fliste, sepse, siç theksoi, "kemi pasur zgjedhje më shumë se një vit e gjysmë më parë dhe nëse ato do të kishin qenë të mira dhe do të k ishin dhënë masa të mira në vitin 2022, në vitin 2024 do të ishin fitues, jo humbës". Në vitin 2022, sipas saj, opozita e sotme ka krijuar inflacion të ushqimeve në vend mbi 20 për qind, ndërsa për disa produkte edhe mbi 30 për qind. Në këtë moment, përveç dy produkteve, në pjesën tjetër nuk kemi rritje", tha ministrja e Financave, duke kujtuar se në takimin me tregtarët është konstatuar se deri tani nuk ka presione serioze për ndryshim të çmimeve përfundimtare.
E pyetur se cila është vija e kuqe për Qeverinë për të vendosur krijimin e masave, ajo përsëriti se situata po ndiqet dhe theksoi se është shumë qartë e përcaktuar se çfarë duhet të ndërmarrë Ministria e Financave nëse ka nevojë.
Siç do të ndryshojnë situatat, ajo theksoi se në përputhje me to mund të ndryshojnë edhe projeksionet në kuadër të buxhetit.
Nëse përshkallëzohet kriza, theksoi ajo, do të përcaktohen prioritete. qa/
Foto: Printskrin