Mali i Zi mbylli pesë kapituj nga procesi i negociatave me BE-në
- Në Bruksel sot u mbajt Konferenca e 24-të ndërkombëtare e inkuadrimit BE-Mali i Zi, në të cilën Podgorica përkohësisht i mbylli negociatat për pesë kapitujt e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
- Post By Sara Ademi
- 11:07, 16 December, 2025
Bruksel, 16 dhjetor 2025 (MIA) - Në Bruksel sot u mbajt Konferenca e 24-të ndërkombëtare e inkuadrimit BE-Mali i Zi, në të cilën Podgorica përkohësisht i mbylli negociatat për pesë kapitujt e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Siç kumtoi Këshilli i BE-së, bëhet fjalë për kapitujt 3 - E drejta e themelimit të ndërmarrjeve dhe lirisë të ofrimit të shërbimeve, 4 - Lëvizje e lirë e kapitalit, 6 - E drejta tregtare, 11 - Bujqësia dhe zhvillimi rural dhe 13- Peshkimi.
"BE-ja e mirëpriti progresin e Malit të Zi me mbylljen e sotme të pesë kapitujve plotësues. Kjo do të thotë se gjithsej 12 kapituj negociues janë mbyllur, që është një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e vendit drejt integrimit evropian", tha ministrja daneze për çështje evropiane Mari Bjere.
Delegacioni qeveritar malazez në Konferencë është udhëhequr nga kryeministri Milojko Spajiq, ndërsa delegacionin e BE-së e kanë udhëhequr kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe eurokomisarja për zgjerim Marta Kos.
Konferenca e sotme vijoi pasi javën e kaluar në mbledhjen e Grupit të punës të Këshillit të BE-së (KOELA), Franca e bllokoi mbylljen e kapitujve 11 dhe 13. Megjithatë, siç kumtoi gjatë fundjavës presidenti malazez Jakov Milatoviq, pas "shkëmbimit të tij miqësor dhe konstruktiv të mendimeve" me homologun francez Emanuel Makron, Franca ka vendosur ta tërheqë veton.
Mali i Zi i ka hapur të gjithë 33 kapitujt në negociata. Qëllimi është që Podgorica gjatë vitit 2026 të mbyllë mbi 20 kapituj, gjë që do t'i lejonte asaj të përfundojë negociatat në vitin 2017 dhe të jetë e gatshme për anëtarësim në BE deri në fund të vitit 2028.
Ndryshe, Mali i Zi deri tani duhej ta mbyllë edhe Kapitullin 31 - Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes, por kjo u shty me kërkesë të Kroacisë.
Mali i Zi e mori statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit 2010, ndërsa negociatat i hapi në qershor të vitit 2012. sa/
Foto: MIA Arkivi