Spiropali në Athinë: Pronat e shqiptarëve, përmes një qasje graduale
- Në ditën e parë të një vizite dy ditore në Greqi, kryediplomatja shqiptare, Elisa Spiropali përsëriti gjatë një deklarate të përbashkët me homologun e saj grek Jorgos Gerapetritis, se çdo referencë ligjore nga lufta e dytë botërore, duhet të shfuqizohet.
- Post By Fami Bajrami
- 16:54, 16 December, 2025
Tiranë, 16 dhjetor 2025 (MIA)- Në ditën e parë të një vizite dy ditore në Greqi, kryediplomatja shqiptare, Elisa Spiropali përsëriti gjatë një deklarate të përbashkët me homologun e saj grek Jorgos Gerapetritis, se çdo referencë ligjore nga lufta e dytë botërore, duhet të shfuqizohet.
“Edhe nga takimet e sotme më përforcohet bindja se ky potencial miqësie krijon momentin e duhur për të trajtuar të gjitha çështjet e ashtuquajtura të mbetura, si edhe ato aktuale, në mënyrë që të hapim sa më shpejt një kapitull të ri, duke e parë përfundimisht të shkuarën tonë me sytë e së ardhmes së përbashkët. Në këtë drejtim, ne duhet të nxisim komunikimin mes shoqërive tona, mjediseve akademike, grupeve të interesit, organizatave profesionale, studentëve”, deklaroi Spiropali, njofton Top Çanel.
Sipas saj duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat miqësie dhe me perspektivë të përbashkët evropiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”.
Ajo u ndal gjithashtu edhe në çështjen e pronave, për të cilën tha se “aspektet historike ligjore dhe pronësore të qytetarëve dhe subjekteve shqiptare në Greqi u trajtuan hapur në kuadër të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit dypalësh. Palët theksuan rëndësinë e një qasjeje graduale dhe realiste, në përputhje me kornizën ligjore përkatëse dhe frymën evropiane, me qëllim forcimin e besimit reciprok dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona”.
Një tjetër si çështje e prekur nga ministrja Spiropali ishte edhe marrëveshja e Detit.
“Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare) në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”, tha ajo.
Foto: MIA