• Wednesday, 15 January 2025

Kos: Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kushtetutën që të përparojë në anëtarësimin drejt BE-së

Kos: Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kushtetutën që të përparojë në anëtarësimin drejt BE-së

Bruksel, 14 janar 2025 (MIA) – Maqedonia e Veriut duhet të tregojë vullnet për ndryshim të Kushtetutës që të arrijë progres në procesin e anëtarësimit drejt BE-së, porositi eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos në debatin e sotëm me anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET). 

“Shpresojmë se Maqedonia do ta përmbushë detyrimin për ndryshim të Kushtetutës dhe atëherë, jam e sigurt, se sapo të fillojmë të lëvizim me Maqedoninë e Veriut, gjithashtu, edhe me mbështetje të Bullgarisë do të mund të vazhdojmë në atë rrugë”, deklaroi Kos në përgjigjen e pyetjes së eurodeputetit bullgar, Andrej Kovaçev në debat. 

Ajo e theksoi kompleksitetin e procesit të zgjerimit, duke theksuar se janë të nevojshme 150 vendime me konsensus të anëtareve të BE-së për fillimin dhe përfundimin e procesit të negociatave për vetëm një vend kandidat, por se duhet të bëhet çmos që të shmangen që çështjet dypalëshe të ndikojnë në bisedime. 

“Por, kjo tashmë po ndodh dhe do të ndodhë në të ardhmen, prandaj detyrë e të gjithë neve është që t’i zgjidhim kur të paraqiten”, theksoi Kos, duke shtuar se ato vende kandidate për anëtarësim që i zbatojnë reformat e nevojshme duhet edhe të kenë përfitime nga përpjekjet e tyre. 

Ajo potencoi se zgjerimi sot është më ndryshe se sa që ishte para pesë vjetëve dhe ekziston mundësi e madhe që gjërat në këtë proces të lëvizin përpara. 

“Për herë të parë pas dhjetë vjetëve, kemi perspektivë reale se gjatë këtij mandati mund të miratojmë të paktën një, sipas meje edhe dy ose tre vende deri në qëllim”, tha Kos. 

Ajo shfaqi shpresë se gjatë kohës së kryesimit aktual polak me Këshillin e BE-së, do të hapen një ose dy klasterë me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe se do të arrihet progres në bisedimet për disa kapituj dhe klasterë me vendet e Ballkanit Perëndimor. 

“Nëse vendet kandidate i respektojnë reformat për progres, gjatë presidencës polake mund të shohim përparim më të madh se sa gjatë dhjetë vjetëve të fundit”, theksoi Kos. 

Eurokomisarja potencoi se edhe krahas agresionit rus ndaj Ukrainës i cili solli dinamikë të re në zgjerim, megjithatë ai proces edhe më tutje mbetet i bazuar në merita. 

“Nuk do të ketë ‘lëshime’ politike. Procesi i zgjerimit mbetet në bazë të meritave”, theksoi Kos, duke shtuar se sundimi i drejtësisë dhe respektimi i vlerave themelore janë dhe do të mbeten gurthemel i politikës së zgjerimit. 

Sipas Kos, zgjerimi është projekt i gjithë shoqërisë, e jo vetëm i parlamenteve dhe qeverive të vendeve kandidate për anëtarësim. 

Duke folur për ambiciet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, eurokomisarja për zgjerim paralajmëroi se këtë javë do ta vizitojë Malin e Zi, ndërsa gjatë shkurtit edhe Shqipërinë. 

“E filluam mandatin me hapjen e një klasteri me Shqipërinë dhe me mbylljen e tre kapitujve me Malin e Zi... Do të shkoj në Mal të Zi këtë javë që ta festoj arritjen e tyre dhe të nxis progresin e mëtutjeshëm gjatë presidencës polake”, theksoi ajo. 

Sipas Kos, qëllimet e vendosura nga Mali i Zi dhe nga Shqipëria për mbylljen e të gjithë kapitujve në procesin e bisedimeve me BE-në deri në fund të vitit 2026, gjegjësisht vitit 2027, janë “shumë ambicioze”, por nuk janë edhe të paarritshme. 

Sa i përket Serbisë, sipas Kos, ajo duhet të përmbushë disa kritere për hapjen e bisedimeve për Klasterin 3, duke theksuar se tani BE-ja pret që Beogradi t’i ofrojë reformat të cilat i premtoi. 

Ajo paralajmëroi edhe nisma për organizimin e ndeshjeve të futbollit, basketbollit dhe të hendbollit mes ekipeve të vendeve kandidate për anëtarësim dhe vendeve anëtare të BE-së, me çka do të jepej nxitje e re e zgjerimit, jashtë bisedimeve për kapituj dhe klasterë dhe zbatimin e reformave. 

“Ne shohim një botë ku madhësia dhe fuqia përdoren si shantazh dhe një botë në të cilën shumë do të donin ta shihnin Evropën të dështonte dhe ku investohen burime të konsiderueshme për ta arritur këtë. Situata në Gjeorgji dhe shantazhi energjetik në Moldavi janë një kujtesë e ashpër e sfidave me të cilat përballemi… Paqja, liria dhe prosperiteti i kontinentit tonë varen nga forca e unitetit dhe madhështia e BE-së”, shtoi Kos. fc/

Fotografia: Parlamenti Evropian