• Saturday, 05 October 2024

Instituti për studimin e luftës: Ukraina e ka rritur prodhimin e armëve, por i nevojitet ndihmë nga Perëndimi

Instituti për studimin e luftës: Ukraina e ka rritur prodhimin e armëve, por i nevojitet ndihmë nga Perëndimi

Uashington, 3 tetor 2024 (MIA) - Ukraina e ka rritur prodhimin vendor të armëve, pajisjeve ushtarake dhe dronëve, por megjithatë ka nevojë për ndihmë të konsiderueshme nga Perëndimi për të kundërshtuar agresionin rus, thuhet në raportin e Institutit për studimin e luftës me seli në Uashington.

Analistët e citojnë më konkretisht deklaratën e presidentit Volodimir Zelenski se kompanitë ukrainase për momentin mund të prodhojnë katër milion dronë në vit, ndërsa tashmë është nënshkruar marrëveshje për prodhimin e 1,5 milion dronëve. 

Përveç kësaj, sipas Zelenskit, Ukraina është e aftë të prodhojë 15 instalime artilerie vetëlëvizëse "Bohdan" çdo muaj, ndërsa së fundmi u krye një test i suksesshëm i një rakete balistike nga prodhimi vendor, thuhet në raportin e publikuar të ueb faqes së Institutit. 

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov theksoi se Ukraina do të vazhdojë t'i japë prioritet prodhimit vendor të dronëve dhe raketave me rreze të gjatë veprimi, duke përfshirë raketat balistike.

Gjithashtu, kryeministri ukrainas Denis Shmihal informoi se në propozim-buxhetin e shtetit për vitin 2025 janë paraparë shtatë miliard dollarë furnizim të armëve dhe pajisjeve ushtarake, që është për 65 për qind më shumë këtë vit. Sipas tij, Ukraina trefish e ka rritur prodhimin vendor të armëve në vitin 2023 dhe dyfish e ka rritur në tetë muajt e parë të vitit. 

Sipas Institutit për studimin e luftës, përpjekjet e Ukrainës për të zgjeruar prodhimin e brendshëm ushtarak do ta lejojnë atë të zvogëlojë varësinë e saj afatgjate nga ndihma ushtarake perëndimore.

Megjithatë, Ukrainës edhe më tej i nevojitet ndihmë e konsiderueshme nga Perëndimi në vitet e ardhshme për të shmangur agresionin rus dhe për të çliruar territore të rëndësishme strategjike të pushtuara aktualisht nga trupat ruse, thuhet në raportin e Institutit. qa/

Foto: arkivi i MIA-s