• Saturday, 05 October 2024

Dy punonjës mediatikë belgë janë plagosur gjatë një sulmi izraelit mbi Bejrutin

Dy punonjës mediatikë belgë janë plagosur gjatë një sulmi izraelit mbi Bejrutin

Bruksel, 3 tetor 2024 (MIA) - Dy punonjës mediatikë belg janë plagosur mbrëmjen e kaluar gjatë një sulmi izraelit mbi një objekt në qendër të qytetit libanez Bejrut, informoi Ministria e Punëve të Jashtme e Belgjikës.

Sipas raporteve mediatike, dy belgët janë plagosur gjatë një sulmi mbi një objekt të organizatës humanitare Qendra për mbrojtje civile, e cila është e ndërlidhur me Partinë libaneze shiite proiraniane (Hezbollah) në lagjen qendrore të Bejrutit, Bashura.

Shërbimi radiodifuziv publik belg RTBF njoftoi se bëhet fjalë për gazetarin Robin Ramekers dhe kameramanin Stijn De Smet, të punësuar në televizionin privat flaman VTM. Sipas burimit të njejtë Remekers ka "lëndime në fytyrë", ndërsa De Smet është plagosur në njërën këmbë.

Televizioni VTM, informoi se ka kontaktuar me punonjësit mediatikë të plagosur dhe se ata janë jashtë rrezikut për jetën.

VTM njoftoi se tash për tash nuk dihen rrethanat e sakta të incidentit, në të cilin ata janë plagosur, duke theksuar se ai ka ndodhur "derisa kanë qenë duke u përgatitur të raportojnë" për sulmin me bombë që ka ndodhur në qendër të Bejrutit, paraprakisht gjatë natës.

Sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, gjatë sulmit ndaj Qendrës për mbrojtje civile gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa shtatë të tjerë janë plagosur. mb/

Foto: Iks