• Wednesday, 26 March 2025

BE-ja ndryshon rregullat për dhënien e patentë shoferëve

BE-ja ndryshon rregullat për dhënien e patentë shoferëve

Bruksel, 25 mars 2025 (MIA) - Përfaqësuesit e Këshillit të BE-së dhe të Parlamentit Evropian sot arritën marrëveshje për përditësimin e Direktivës së patentë shoferit, me çka mes tjerash, vendosen "lejet mobile", kërkesat e reja minimale në lidhje me aftësinë e shoferit, një periudhë testimi për drejtuesit e rinj dhe vozitje me shoqërues për drejtuesit profesionistë fillestarë.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, vlerësohet se marrëveshja e arritur do të përmirësojë sigurinë rrugore në Evropë, ku në vit humbin jetën gati 20.000 njerëz.

Sipas kryenegociatorit në emër të Këshillit të BE-së, ministrit polak të Infrastrukturës Dariush Klimçak, këto ndryshime në rregullat e patent shoferit janë një shembull i shkëlqyer se sa i përhapur është digjitalizimi në jetën e evropianëve.

"Falë këtyre ndryshimeve, rregullat për dhënien e patentë shoferëve do të jenë më gjithëpërfshirëse dhe të përshtatura plotësisht me shoqërinë tonë digjitale, ndërsa në të njëjtën kohë do të sigurojnë një ndikim të rëndësishëm pozitiv në sigurinë e rrugëve në BE", vlerëson Klimçak, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e BE-së.

Kryenegociatorja e PE-së, eurodeputetja gjermane Juta Paulus, theksoi se këto rregulla të reja do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë, duke e bërë atë më digjitale, më fleksibël dhe me më pak burokraci.

Me ndryshimet parashikohet vendosja e një leje drejtimi të vetme celulare në nivel të BE-së deri në fund të vitit 2030 e cila do të funksionojë paralelisht me patentat klasike fizike. Të dyja llojet e licencave për drejtimin e makinave ose motoçikletave do të jenë të vlefshme për 15 vjet nga data e lëshimit, përveç rasteve kur përdoren edhe si kartë identiteti, kur do të jenë të vlefshme për 10 vjet, ndërsa lejet për drejtimin e kamionëve dhe autobusëve do të duhet të rinovohen çdo pesë vjet. Çdo shtet anëtar i BE-së ka të drejtë të shkurtojë vlefshmërinë e patent shoferëve për personat mbi 65 vjeç.

Gjithashtu, harmonizohen edhe proceset e kontrollit mjekësor që aplikohen në shtetet anëtare gjatë lëshimit ose vazhdimit të licencave, të cilat do të përfshijnë ekzaminim të detyrueshëm kardiovaskular.

Për drejtuesit fillestarë vendoset edhe një periudhë prove prej të paktën dy vjeçare, gjatë së cilës për ta do të zbatohen rregulla dhe sanksione më të rrepta për drejtimin e automjeteve nën ndikimin e alkoolit ose drogës.

Për përballimin me problemin e mungesës së drejtuesve profesionistë, kufiri i moshës për marrjen e lejes së drejtimit të kamionit ulet nga 21 në 18 vjeç dhe për autobusët nga 24 në 21 vjeç, ku personi duhet të ketë “certifikatë aftësie profesionale”. Ndryshimet lejojnë edhe dhënien e patentës për drejtim të kamionëve ose furgonëve për personat mbi 17 vjeç, por derisa të arrijnë kufirin e kërkuar të moshës për drejtimin e automjeteve të tilla, ata duhet të shoqërohen nga një drejtues me përvojë.

Gjithashtu, thjeshtësohet edhe procedura për marrjen e lejes së drejtimit të makinës për qytetarët evropianë të cilët nuk jetojnë në shtetin e tyre anëtar të BE-së.

Ndryshimet e dakorduara tani duhet të miratohen nga Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të qeverive të shteteve anëtare të BE-së (Koreper) dhe Parlamenti Evropian. qa/

Foto: Parlamenti Evropian