Arabia Saudite vendosi një rekord të ri vjetor për ekzekutimet
- Arabia Saudite këtë vit ka kryer 340 ekzekutime, duke vendosur një rekord të ri vjetor për ekzekutimet, publikoi "Midël Ist aj" (Middle East Eye).
- Post By Sara Ademi
- 09:46, 16 December, 2025
Riad, 16 dhjetor 2025 (MIA) - Arabia Saudite këtë vit ka kryer 340 ekzekutime, duke vendosur një rekord të ri vjetor për ekzekutimet, publikoi "Midël Ist aj" (Middle East Eye).
Shifra e re vjen pasi autoritetet saudite njoftuan se edhe tre persona u ekzekutuar ditën e djeshme. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ekzekutimet janë kryer në Mekë pasi të dënuarit u shpallën fajtorë për vrasje. Numri i ekzekutimeve këtë vit e tejkaloi rekordin paraprak të vitit 2024, ku, sipas të dhënave të arritshme, u ekzekutuan 338 persona.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut "ALKST", "Amnesti interneshënall" dhe "Repriv" shifra për vitin 2024 është ende më e madhe - 345 ekzekutime.
Pjesa më e madhe e ekzekutimeve këtë vit, gjithsej 232, ishin në rastet e lidhura me drogën. Disa nga dënimet me vdekje u shqiptuan edhe për vepra të klasifikuara si terrorizëm.
Arabia Saudite e vazhdoi dënimin me vdekje në raste të lidhura me drogën kah fundi i vitit 2022, pas pezullimit prej rreth 3 vjet. Numër i madh i atyre që janë ekzekutuar prej atëherë janë shtetas të huaj. Në muajt e fundit, autoritetet ekzektuan edhe dy persona, të cilët, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, ishin të mitur në kohën e kryerjes së krimeve, që është e ndaluar sipas të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Konventën e KB-së për të drejtat e fëmijëve, në të cilën nënshkruese është edhe Arabia Saudite.
Në vitin 2020, autoritetet saudite njoftuan se do ta ndërpresin të drejtën diskrecionare të gjyqtarëve të shqiptojnë dënim me vdekje për autorët e mitur, duke i'u referuar dekretit mbretëror. Megjithatë, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, kishte disa raste të ekzekutimeve të personave të dënuar për krime të kryera derisa ishin nën 18 vjeç.
"ALKST" njoftoi se kanë identifikuar edhe pesë persona të cilët ishin të mitur gjatë kryerjes së krimeve të tyre dhe të cilët janë ekspozuar në rrezik të drejtpërdrejtë nga ekzekutimi. Sipas Amnesti Interneshënall, Arabia Saudite kishte numrin e tretë më të madh të ekzekutimeve në botë në vitin 2022, 2023 dhe 2024, pas Kinës dhe Iranit. sa/
foto: EPA arkivi