Votat e diasporës mund të jenë vendimtare në zgjedhjet në Hungari
- Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve Hungareze NVI njoftoi se tashmë kanë mbërritur mbi 190 mijë vota nga qytetarët hungarezë që jetojnë jashtë vendit, nga gjithsej rreth gjysmë milioni votues të diasporës që janë regjistruar.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:49, 10 prill, 2026
Budapest, 10 prill 2026 (MIA)
Cvetin Çilimanov, korrespondent special për MIA - nga Budapest
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve Hungareze NVI njoftoi se tashmë kanë mbërritur mbi 190 mijë vota nga qytetarët hungarezë që jetojnë jashtë vendit, nga gjithsej rreth gjysmë milioni votues të diasporës që janë regjistruar.
Pjesa më e madhe e këtyre votave pritet të vijnë nga shtetet fqinje – Sllovakia, Serbia, Ukraina – por sidomos nga Rumania, nga rajoni i Transilvanisë.
Votimi i diasporës zhvillohet me postë dhe votat e tyre numërohen vetëm për listën proporcionale të partive, por jo për listën e shumicës. Pavarësisht organizimit të mirë të procesit, është e mundur që rezultatet e këtyre votave të numërohen dhe të publikohen një ose disa ditë pas përfundimit të votimit të dielën.
Në zgjedhjet e mëparshme, në vitin 2022, votuan mbi 260 mijë hungarezë që jetojnë në diasporë në vendet fqinje. Po ashtu, në këto zgjedhje votuan edhe mbi 57.000 shtetas hungarezë që janë të regjistruar me adresa në Hungari, por jetojnë ose punojnë përkohësisht jashtë vendit, dhe që votojnë në përfaqësitë diplomatike.
Hungarezët e diasporës, që kanë votuar përmes postës, në zgjedhjet e kaluara janë shprehur me një shumicë të madhe për partinë Fides të Viktor Orban. Atëherë, votat e tyre nuk ishin vendimtare për shkak të fitores së madhe të Fides në vend, por duke marrë parasysh garën e pasigurt në zgjedhjet e këtij viti, mund të ndodhë që këto vota të jenë vendimtare.

Në Fides presin që të kenë rezultat të fortë në 106 njësitë zgjedhore, ku votat e së djathtës janë më mirë të shpërndara sesa votat e së majtës urbane.
Por partia Tisa pret të ketë rezultat më të fortë në listën proporcionale, përmes së cilës zgjidhen 93 deputetë, dhe këtu është e mundur që Fides të ketë ndihmë nga votat e diasporës.
Nga ana tjetër, në kategorinë e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit ose janë në punë të përkohshme, Fides mori vetëm 19 për qind të votave në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në vitin 2024. qa/
Foto: Jutjub