• e mërkurë, 15 prill 2026

Rubio: Bisedimet midis Izraelit dhe Libanit në Uashington janë një mundësi historike për paqe të qëndrueshme

Rubio: Bisedimet midis Izraelit dhe Libanit në Uashington janë një mundësi historike për paqe të qëndrueshme

 Uashington, 14 prill 2026 (MIA) - Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, sot u bëri thirrje Izraelit dhe Libanit të shfrytëzojnë "mundësinë historike për paqe të qëndrueshme" në Liban, raportuan mediat franceze.

 "Kjo është një mundësi historike. Jemi të vetëdijshëm se duhet të përballemi me dekada historie dhe kompleksitetet që na kanë sjellë në këtë moment dhe mundësi unike që është para nesh", tha Rubio ndërsa priti ambasadorët izraelitë dhe libanezë në Departamentin e Shtetit në Uashington për bisedimet e para të drejtpërdrejta midis dy vendeve pas dekadave.

 "Bëhet fjalë për përfundimin definitiv të 20 ose 30 viteve të ndikimit të Hezbollahut në këtë pjesë të botës", shtoi ai, por tha se bisedimet që filluan sot ishin fillimi i "një procesi që do të kërkojë kohë".

 Ndërkohë, presidenti libanez Xhozef Aun shprehu shpresë se bisedimet me Izraelin do të shënojnë "fillimin e fundit të vuajtjeve të popullit libanez" pas javësh lufte midis Izraelit dhe Hezbollahut.

 "Shpresoj që takimi në Uashington të jetë fillimi i fundit të vuajtjeve të popullit libanez në përgjithësi,  dhe veçanërisht të popullit të jugut", deklaroi lideri libanez në një deklaratë pak para fillimit të bisedimeve.

 "Stabiliteti në jug nuk do të rivendoset nëse Izraeli vazhdon të pushtojë territoret atje", theksoi ai, duke shtuar se "e vetmja zgjidhje është që armata libaneze të ripozicionohet në kufijtë e njohur nga bashkësia ndërkombëtare dhe të jetë përgjegjëse vetëm për sigurinë e zonës dhe popullit të saj, pa partneritet me të tjerët".

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR