Papa Leo paralajmëron: Pa vlera morale, demokracia mund të shndërrohet në tirani të shumicës
- Papa Leo XIV, në një letër të publikuar sot nga Vatikani, dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trampi sulmoi kreun e Kishës Katolike Romake në mediat sociale, paralajmëroi për rrezikun e shndërrimit të demokracive në "tirani të shumicës".
- Post By Ajrije Rexhepi
- 19:07, 14 prill, 2026
Romë, 14 prill 2026 (MIA) - Papa Leo XIV, në një letër të publikuar sot nga Vatikani, dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trampi sulmoi kreun e Kishës Katolike Romake në mediat sociale, paralajmëroi për rrezikun e shndërrimit të demokracive në "tirani të shumicës".
Papa i parë që vjen nga SHBA-ja, duke u shkruar pjesëmarrësve në një takim në Vatikan për përdorimin e fuqisë në shoqëritë demokratike, tha se demokracitë mbeten të shëndetshme vetëm kur janë të rrënjosura në vlera morale.
"Pa atë themel vlerash, (demokracia) po përballet me rrezikun që të bëhet ose një tirani e shumicës ose një mbulesë për dominimin e elitave ekonomike dhe teknologjike", ka shkruar Papa Leo në letër.
Teksti, i publikuar në mes të turneut 10-ditor të Papës në katër vende afrikane, nuk përmendi konkretisht ShBA-në ose ndonjë vend tjetër demokratik.
Trampi të dielën vonë ashpër e kritikoi papën, duke e quajtur atë "të tmerrshëm" sepse papa ishte shfaqur në javët e fundit si një kritik i luftës ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Papa Leo dje për Rojtersin deklaroi se ka ndërmend të vazhdojë ta kritikojë luftën pavarësisht komenteve të Trampit.
Papa në letrën e sotme tha se Kisha Katolike mëson se fuqia nuk duhet të konsiderohet si një qëllim në vetvete, "por më tepër si një mjet i drejtuar drejt së mirës së përbashkët".
"Kjo nënkupton që legjitimiteti i pushtetit nuk varet nga akumulimi i fuqisë ekonomike ose teknologjike, por nga mençuria dhe virtyti me të cilin përdoret", tha Leo.
Papa gjithashtu u bëri thirrje liderëve të shoqërive demokratike që t’i rezistojnë çdo përpjekjeje për të rritur fuqinë e tyre.
Foto: Arkivi i MIA-s