• Saturday, 22 June 2024

Zgjedhjet për PE-në - Ngritja e ekstremit të djathtë, tërmet politik në Francë dhe mandat i ri i mundshëm për Fon der Lajenin

Zgjedhjet për PE-në - Ngritja e ekstremit të djathtë, tërmet politik në Francë dhe mandat i ri i mundshëm për Fon der Lajenin

Bruksel, 10 qershor 2024 (MIA) - Ngritja e ekstremit të djathtë, tërmeti politik në Francë, mandati i ri i mundshëm i Ursula fon der Lajenit për kryetare të Komisionit Evropian, tërheqja e Të Gjelbërve dhe sukseset e partive pro-evropiane në Evropën qendrore. Këto janë disa nga tendencat kryesore që u shfaqën në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të mbajtura nga 6 deri më 9 qershor.

Partia Popullore Evropiane  (PPE) mbetet forca e parë politike në përbërjen e ardhshme të PE-së. Deri tani janë 184 përfaqësues prej 720 anëtarësh në Parlamentin Evropian - dy më shumë se më parë. Për më tepër, në përbërjen e mëparshme të PE-së kishte më shumë deputetë - 751.

Megjithatë, këto vende janë të pamjaftueshme për grupin politik konservator që të zgjedhë vetë Komisionin e ardhshëm Evropian. Kryetarja e pushtetit ekzekutiv në BE, Ursula fon der Lajen e cila është kandidate për mandat të ri, mbrëmë shprehu kënaqësi nga rezultati i PPE-së dhe besimin se do të marrë mbështetjen nga Këshilli Evropian. 

Ndërkohë, Fon der Lajen nuk e fshehu shqetësimin e saj për ngritjen e së djathtës ekstreme dhe u zotua të "ndërtojë një kështjellë" kundër ekstremistëve politikë dhe shpresë për bashkëpunim me grupet politike tradicionale - socialistët dhe liberalët.

Megjithatë, ato familje politike janë në tërheqje. Grupi i Aleancës politike të socialistëve dhe demokratëve do të ketë 139 deputetë në përbërjen e re të PE -së 15 më pak se ai i mëparshmi.

Presidenti francez Emanuel Makron shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare pas humbjes së partisë së tij. Kështu, ai shkaktoi "tërmet politik" në vendin e dytë më të populluar të unionit.

Zgjedhjet u shënuan nga ngritja e pritshme e ekstremit të djathtë, përfshirë edhe fitoren e Asamblesë kombëtare në Francë dhe vendin e dytë të partisë së ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” në vendin më të populluar të BE-së – Gjermaninë.

Si rezultat i kësaj, konservatorët dhe reformistët evropianë do të kenë 73 eurodeputetë, ndërsa grupi tjetër nga kjo ngjyrë në spektrin politik - "Identiteti dhe demokracia" - 58. Të dy fraksionet kishin përkatësisht 62 dhe 73 vende në përbërjen e mëparshme të PE-së.

Mediat amerikane raportuan gjithashtu për përfitimet e mëdha të parashikuara të së djathtës ekstreme.

Partitë ekologjike do të kenë vetëm 52 eurodeputetë – 22 më pak se më parë. Rezultatet e dobëta u pritën; ato mund të shpjegohen nga një sërë faktorësh, nga pjesëmarrja gjithnjë e më pasive e Të Gjelbërve në koalicionin qeveritar në Gjermani deri te pakënaqësia në rritje e opinionit kundër Marrëveshjes së Gjelbër dhe politikës së klimës dhe energjisë në përgjithësi.

Grupi i fundit në PE, E Majta, nga ana e saj, ka të ngjarë të humbasë pesë vende dhe përfaqësimi i saj pritet të ulet në 36 eurodeputetë.

Mediat britanike vënë re një tendencë tjetër - përfaqësimin e fuqishëm të forcave politike pro-evropiane, centriste në Evropën Qendrore. Dhe më konkretisht në Hungari e qeverisur nga kryeministri i krahut të djathtë Viktor Orban i cili është i afërt me presidentin rus Vlladimir Putin dhe në Poloni, ku liberalët e ish-presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk rrëzuan nacionalistin konservator.

Sukseset e centristëve pro-evropianë në këto demokraci të reja janë në kundërshtim me prirjen e përgjithshme në BE, raportojnë mediat britanike.

Megjithatë, fotografia e madhe - PPE mbetet familja më e madhe politike në Evropë dhe ka të ngjarë të vazhdojë të qeverisë në bashkëpunim me grupet e tjera kryesore në PE. Megjithatë, ata do të duhet të dëgjojnë zërin e votuesve evropianë dhe të përpiqen të qetësojnë shqetësimet e tyre nëse duan të ndryshojnë tendencën kryesore që është shfaqur në këto zgjedhje. qa/