Ushtarët ukrainas nuk mendojnë se lufta do të përfundojë së shpejti
- Bisedimet e kësaj jave për paqe ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së për t'i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë nuk u kanë lënë përshtypje ushtarëve ukrainas në vijën e parë të frontit, të cilët nuk shohin fund të luftimeve së shpejti nëse Kievi lihet jashtë bisedimeve.
- Post By Sara Ademi
- 21:10, 21 February, 2025

Kiev, 21 shkurt 2025 (MIA) - Bisedimet e kësaj jave për paqe ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së për t'i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë nuk u kanë lënë përshtypje ushtarëve ukrainas në vijën e parë të frontit, të cilët nuk shohin fund të luftimeve së shpejti nëse Kievi lihet jashtë bisedimeve.
Me një pushkë automatike në dorë, një pjesëtar i këmbësorisë me emër kodues "Rugbijash" kujtoi rezistencën e ashpër të Ukrainës në javët e para të pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, përpara se të mbërrinte mbështetja perëndimore, dhe sugjeroi se vendi i tij mund ta bënte përsëri nëse është e nevojshme.
Ai nuk ka shpresa të mëdha se presidenti amerikan Donald Tramp do të angazhohet për Ukrainën.
Një tjetër ushtar, i njohur si "Pruzhinka", hodhi poshtë gjithashtu bisedimet ruso-amerikane në Arabinë Saudite dhe tha se kishte në plan të vazhdonte të luftonte armikun kur të kthehej në front.
Përpjekjet e Trampit për të arritur një paqe të shpejtë me Moskën duke e mbajtur Ukrainën mënjanë kanë shkaktuar frikë tek shumë ukrainas dhe aleatët e tyre. Por ushtarët në vijën e frontit thonë se janë të vendosur të vazhdojnë të luftojnë, duke treguar tre vjet sakrificë të hidhur dhe humbjen e jetëve të dhjetëra mijëra bashkëluftëtarëve.
Ushtarët thanë se kanë pak besim në përpjekjet aktuale të paqes dhe nuk shohin fund të luftimeve. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s