• Thursday, 30 January 2025

SHPPP: Është shpallur thirrje për marrje me qira të "Fshatit të Maqedonisë", nga 1 qershori kompleksi fillon me punë

SHPPP: Është shpallur thirrje për marrje me qira të

Shkup, 29 janar 2025 (MIA) – Në mediat e shtypura sot është shpallur thirrje për zgjedhjen e koncensionerit për kompleksin “Fshati i Maqedonisë”, i cili gjendet në shpatet e Vodnos, në afërsi të fshatit Nerez, me qëllim që kompleksi përsëri të fillojë të punojë dhe u kthye në hartën turistike dhe kulturore të Maqedonisë, informon Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP). 

Thirrja, siç precizojnë, është ndarë në katër pjesë, gjegjësisht ekziston mundësi që koncesionerë të ndryshëm të paraqiten për marrje me qira të segmenteve të ndara ose për kompleksin në tërësi. Çmimi fillestar për marrje me qira të gjithë kompleksit është 240.000 denarë, ndërsa çmimi fillestar i koncesionit të pjesëve të ndara është 44.529 denarë, 49.868 denarë, 54.839 denarë dhe 91.575 denarë.

“Në mënyrë ligjore dhe transparente do të vendoset se kush do ta menaxhojë ‘Fshatin e Maqedonisë’ në të ardhmen. Përzgjedhja do të bëhet me ankand publik elektronik, përmes sistemit që menaxhon dhe operon Ministria e Financave – Drejtoria për Çështje Pronësore dhe Juridike. Qiramarrësi/qiramarrësit  do të detyrohen të ndërmarrin të gjitha aktivitetet e nevojshme për përgatitjen e Kompleksit për funksionim nga data 1.06.2025. Besojmë se me përzgjedhjen e një koncesionari të ri do të kontribuojmë në zhvillimin e turizmit, do të stimulojmë ekonominë vendore dhe do të krijojmë mundësi të reja punësimi”, thonë nga SHPPP.

Me rinovimin e kompleksit “Fshati i Maqedonisë”, shtojnë, do të krijohen edhe kushte për vizita nga turistë dhe mysafirë vendorë, që do ta fuqizojë infrastrukturën turistike dhe ofertën në rajon, ndërsa në të njëjtën kohë do të kontribuojmë edhe për prezantimin e zanateve tradicionale të Maqedonisë, trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës autentike. 

Kompleksi përbëhet nga 12 shtëpi autentike, me hapësira ku janë prezantuar zanatet e Maqedonisë, disa pjesë shfrytëzohen si dhoma hoteli, ndërsa disa kanë edhe pjesën e restorantit. Nuk funksionon tashmë gjashtë vjet, pasi koncesionerët e kaluar u tërhoqën për shkak të humbjeve financiare. Në ndërkohë, SHPPP rregullisht i mbulonte shpenzimet për sigurim dhe mirëmbajtje dhe në praktikë, siç theksojnë, humbjet e deritanishme financiare arritën shumën prej rreth 350.000 euro. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s