SHGM: Kalkulimet politike gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të ASHMAA janë të papranueshme
- Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shpreh shqetësimin për zgjedhjen e sotme të kandidatëve të propozuar për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) në Komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime.
- Post By Fami Bajrami
- 20:17, 29 January, 2025
Shkup, 29 janar 2025 (MIA)- Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shpreh shqetësimin për zgjedhjen e sotme të kandidatëve të propozuar për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) në Komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime.
Sipas SHGM-së është shqetësues fakti se disa nga kandidatët e përzgjedhur të cilëve iu është dhënë mundësia të marrin pjesë në dëgjimin publik nuk i plotësojnë as kushtet formale sipas shpalljes së publikuar. Problematike është edhe historia partiake e disa prej kandidatëve që propozohen për votim në Kuvend. Në të njëjtën kohë, kandidatët që kishin një portofol të spikatur profesional nuk u morën parasysh.
"Në seancën e sotme ka munguar transparenca në përzgjedhjen e kandidatëve, kritere të qarta dhe pikëzim e përzgjedhje e duhur që do të tregonte paanshmëri të plotë në përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë. Kjo mënyrë përzgjedhjeje ka hapur vend për dyshime se Kuvendi gjatë përzgjedhjes së kandidatëve udhëhiqet nga marrëveshjet dhe kompromiset politike dhe jo nga kriteret profesionale, siç duhet të jetë me rastin e përzgjedhjes së anëtarëve të një organi të pavarur rregullator siç është ASHMAAV-ja", thonë në SHGM.
Ajo thekson rëndësinë e pavarësisë politike dhe profesionalizmit të këtij organi rregullator.
"SHGM-ja thekson rëndësinë e zgjedhjes së anëtarëve kompetentë dhe të pavarur në Këshillin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAAV). Kjo është thelbësore për sigurimin e efikasitetit dhe paanshmërisë së organit rregullator, veçanërisht në një kohë kur po shqyrtohen ndryshimet në Ligjin për Media që parashikojnë zgjerimin e kompetencave të Agjencisë, duke përfshirë krijimin e një regjistri vullnetar për mediat onlajn dhe mundësinë e krijimit të një fondi për të mbështetur pluralizmin mediatik", thuhet në komunikatë.
SHGM thekson se puna e rregullatorit të medias është nën vëzhgimin e rregullt nga Komisioni Evropian dhe organizata të tjera të besueshme si Reporterët pa Kufij dhe Freedom House. Efikasiteti i punës së tyre, përveçse ndikon në përmirësimin e kushteve në të cilat funksionojnë të gjitha mediat në vend, ka një rëndësi të veçantë në proceset integruese evropiane të vendit.
"Vetëm me një përbërje profesionale, kredibilitet dhe integritet, ASHMAAV-ja do të mund të përmbushë me sukses detyrimet e reja dhe të ruajë rolin e saj si rregullator i pavarur në hapësirën mediatike. Prandaj, i bëjmë thirrje deputetëve dhe Kuvendit që të tregojnë përgjegjësi gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, duke qenë se vendimet e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë dhe pluralizmin e mediave në vendin tonë", thuhet mes tjerash në kumtesën e SHGM-së.
Komisioni parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në seancën e sotme e konstatoi propozim vendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele. Në listën e kandidatëve për anëtarë të këtij trupi rregullator janë: Viktor Pavllovski, inxhinier i diplomuar për informatikë nga Shkupi, Sasho Stefanovski i diplomuar për artin filmik dhe kameraman televiziv nga Shkupi, Petar Gjurovski montazher i diplomuar i filmit nga Shkupi. Cvetanka Minovska gazetare e diplomuar nga Shkupi, Afrona Vërzivolli ekonomiste e diplomuar nga Shkupi, Nafije Selmani profesoreshë e diplomuar e gjuhës dhe letërsisë shqipe nga Shkupi dhe Gordana Majnova ekonomiste e diplomuar dhe magjistre e komunikologjisë.
Foto: arkivi i MIA-s