• Tuesday, 02 July 2024

SHBA-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut dënuan fuqimisht thellimin e bashkëpunimit ushtarak midis Phenianit dhe Moskës

SHBA-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut dënuan fuqimisht thellimin e bashkëpunimit ushtarak midis Phenianit dhe Moskës

Uashington, 24 qershor 2024 (MIA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia dhe Koreja e Jugut në një deklaratë të përbashkët e kanë dënuar thellimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Koresë së Veriut dhe Rusisë.

Në deklaratë theksohet se bashkëpunimi i thelluar ushtarak midis Koresë së Veriut e "vazhdon vuajtjen e popullit ukrainas, shkel rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kërcënon stabilitetin e Azisë Verilindore dhe Evropës".

"Përparimi i partneritetit ndërmjet Koresë së Veriut dhe Rusisë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Strategjik gjatë vizitës së liderit rus Vladimir Putin në Phenian më 19 qershor, duhet të shqetësojë seriozisht të gjithë ata që kanë interes për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Gadishullit korean, duke ruajtur regjimin global të mospërhapjes dhe duke mbështetur popullin e Ukrainës në mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së tyre nga agresioni brutal i Rusisë, thuhet në deklaratën e përbashkët.

SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia konfirmojnë synimin e tyre për të forcuar bashkëpunimin diplomatik dhe të sigurisë për të kundërshtuar kërcënimet që Koreja e Veriut paraqet për sigurinë rajonale dhe globale dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

"Detyrimet e SHBA-së për mbrojtjen e Koresë së Jugut dhe Japonisë mbeten të pathyeshme. SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia pohojnë gjithashtu se rruga e dialogut mbetet e hapur dhe i bëjnë thirrje Koresë së Veriut të ndalojë provokimet e mëtejshme dhe t'u kthehet negociatave, thuhet në deklaratë. ls/