• Monday, 02 March 2026

Qeveria e Libanit i kërkon Hezbollahut të dorëzojë armët

Qeveria e Libanit i kërkon Hezbollahut të dorëzojë armët

Bejrut 2 mars 2026 (MIA) - Qeveria e Libanit sot i shpalli aktivitetet ushtarake të Hezbollahut të paligjshme dhe i bëri thirrje lëvizjes, e cila ka mbështetje nga Irani, të dorëzojë armët.

Qeveria e Libanit i ka urdhëruar armatës të pengojë sulmet ndaj Izraelit dhe të konfiskojë armët e Hezbollahut.

Hezbollahu është pjesë e qeverisë së Libanit, prandaj mbetet e paqartë nëse lëvizja mund të ndalohet pa miratimin e parlamentit.

Qeveria e Libanit dënoi sulmin e djeshëm me raketa dhe dronë të Hezbollahut ndaj Izraelit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Kac, sot deklaroi se sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Kasem, është objektiv për eliminim.

"Organizata terroriste Hezbollah do të paguajë një çmim të lartë për të shtënat ndaj Izraelit, ndërsa Naim Kasem, sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, i cili vendosi të qëllojë nën presionin e Iranit – tani është një objektiv i shënjestruar për eliminim. Çdokush që ndjek rrugën e Hamneit së shpejti do të përfundojë në thellësitë e ferrit së bashku me të gjithë elementët e penguar të boshtit të së keqes", theksoi Kac në platformën X.

Ai shtoi se, së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, i kanë urdhëruar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të përdorin forcë ndaj Hezbollahit, ndërsa vazhdojnë të ndjekin objektivin kryesor për rrëzimin dhe mundjen e regjimit terrorist iranian.

Kasemi e mori funksionin e sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut nga Hasan Nasrallah, i cili u eleminua nga IDF në shtator të vitit të kaluar.

Ndërkohë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, duke iu përgjigjur pyetjes nëse IDF-ja planifikon një pushtim të Liban, deklaroi se të gjitha opsionet janë mbi tryezë. Sipas tij, Hezbollahu ka bërë një gabim të madh me vendimin për të sulmuar Izraelin.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se të paktën 31 persona janë vrarë, ndërsa 149 janë plagosur në sulmet izraelite në Liban. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s