• Saturday, 22 June 2024

Putini javët në vijim do t’i vizitojë Korenë e Veriut dhe Vietnamin

Putini javët në vijim do t’i vizitojë Korenë e Veriut dhe Vietnamin

Moskë, 10 qershor 2024 (MIA) - Presidenti rus Vlladimir Putin në javët në vijim do të vizitojë Korenë e Veriut dhe Vietnamin, publikoi sot gazeta "Vedomosti", duke cituar një burim diplomatik.

Ambasadori rus në Korenë e Veriut, Aleksandar Maçegora për Vedomostin konfirmoi se vizita e presidentit në Phenian do të bëhet dhe se ai po "përgatitet në mënyrë aktive".

Gazeta shkruan se Putini ka mundësi të vizitojë Vietnamin veçmë në qershor, ndërsa ka gjasa që menjëherë pas vizitës së tij të vizitojë Korenë e Veriut.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Xhong Un ka vizituar Rusinë shtatorin e kaluar për bisedime me Putinin. 
Kremlini ka thënë se Rusia dëshiron të ndërtojë partneritet me Korenë e Veriut "në të gjitha fushat", por ende nuk e ka konfirmuar datën e vizitës.

Rusia ka forcuar lidhjet e saj me Korenë e Veriut dhe vende e tjera armiqësore të SHBA-së, siç është Irani, që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës, ndërsa forcimi i këtyre lidhjeve paraqet burim shqetësimi për Perëndimin.

Në janar, SHBA-ja dhe Ukraina akuzuan Rusinë se ka shfrytëzuar raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi të Koresë së Veriut në sulmet e saj ndaj Ukrainës, gjë që Rusia ka refuzuar ta konfirmojë ose mohojë.

Vedomosti publikoi se Putini dhe Kim mund të diskutojnë për importimin e punëtorëve emigrantë nga Koreja e Veriut. Rusia po përballet me një mungesë akute të fuqisë punëtore për shkak të luftës në Ukrainë, pasi qindra mijëra meshkuj janë rekrutuar ose janë larguar jashtë vendit për të shmangur mobilizimin.

Vizita e vetme e Putinit në Korenë e Veriut ishte në vitin 2000, që ishte viti i tij i parë si president.

Vedomosti citoi një përfaqësues rus në Vietnam muajin e kaluar të thoshte se çështja kryesore tregtare midis dy vendeve është infrastruktura bankare për transfertat e parave. rq/

Foto: EPA