Policia ruse arrestoi gazetaren që ka regjistruar videon e fundit të Navalnit
- Gazetarja që regjistroi videon e fundit të liderit të opozitës ruse Aleksej Navalni para vdekjes së tij, Antonina Favorskaja, është në paraburgim, njoftuan sot mediat botërore.
- Post By Sara Ademi
- 11:20, 30 March, 2024
Moskë, 30 mars 2024 (MIA) - Gazetarja që regjistroi videon e fundit të liderit të opozitës ruse Aleksej Navalni para vdekjes së tij, Antonina Favorskaja, është në paraburgim, njoftuan sot mediat botërore.
Favorskaja ka ndjekur gjyqet e Navalnit për disa vite dhe organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij të enjten kumtoi se ajo ishte një nga gjashtë gazetarët në mbarë botën të arrestuar këtë muaj.
Autoritetet ruse arrestuan Favorskajën të mërkurën mbrëma dhe e akuzuan atë se ishte pjesë e një "organizate ekstremiste" për postimet në rrjetet sociale nga Fondacioni kundër korrupsionit i Navalnit, njoftoi grupi rus i të drejtave të njeriut OVD-Info.
Zëdhënësja e Navalnit, Kira Jarmish tha se Favorskaja nuk kishte postuar asgjë në platformat e fondacionit dhe sugjeroi se ajo ishte në shënjestër nga autoritetet ruse sepse po bënte punën e saj si gazetare.
OVD-Info kumtoi se Favorskaja u arrestua për herë të parë më 17 mars pasi vendosi lule në varrin e Navalnit.
Ajo kaloi dhjetë ditë në burg pasi u akuzua për mosbindje ndaj policisë, por kur mbaroi periudha e paraburgimit, autoritetet e akuzuan përsëri dhe e urdhëruan të paraqitej në Gjykatën e Qarkut Basman në Moskë.
Ajo është një nga disa gazetarë rus të shënjestruar nga autoritetet. Dy gazetare të tjera, Aleksandra Astahova dhe Anastasia Musatova, u ndaluan përkohësisht pasi kishin ardhur për të takuar gazetaren e akuzuar në qendrën e paraburgimit ku ajo ishte e burgosur. sa/
Foto: OVD Info në X