• Sunday, 26 January 2025

Ka ndërruar jetë Kryepeshkopi i Shqipërisë, Janullatos

Ka ndërruar jetë Kryepeshkopi i Shqipërisë, Janullatos

Athinë, 25 janar 2025 (MIA) - Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka ndërruar jetë sot në një spital të Athinës, në moshën 95 vjeçare.

Në ditët mes ndërrimit të viteve ai u shtrua në një nga spitalet e Tiranës dhe më pas u dërgua në Spitalin e Ungjillëzimit në Athinë.

Nga mesi i vitit 1992 Anastas Janullatos u zgjodh kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqipërisë së sapodalë nga diktatura komuniste, e cila ndaloi besimet fetare, si dhe vrau e burgosi shumë klerikë e besimtarë.

I lindur në Pire të Greqisë, Kryepeshkopi Anastas mbajti 8 vjetët e fundit të jetës edhe shtetësinë shqiptare.

Ai mbërriti në Tiranë bashkë me polemikat mbi kombësinë greke të drejtuesit kryesor të Kishës Ortodokse shqiptare, si dhe për lidhjet e ngushta të tij me Greqinë, ndonëse formalisht i mikpritur nga ish Presidenti Sali Berisha dhe autoritetet shtetërore.

Pakënaqësitë mbi kombësinë e Kryepeshkopit Anastas dilnin në pah sa herë që tensionoheshin marrëdhëniet diplomatike shqiptaro - greke, edhe pse nuk ekzistonte ndonjë lidhje midis këtyre temave.

Sulmet politike nga grupe pranë pushtetit arritën kulmin në vjeshtën e vitit 1994, kur ish Presidenti Sali Berisha përfshiu një nen në projekt-Kushtetutën e rrëzuar me referendum, i cili synonte largimin e Kryepeshkopit Anastas.

Në atë nen thuhej se “kryetarët e komuniteteve të mëdha fetare duhet të jenë shtetas shqiptarë, të lindur në Shqipëri dhe me banim të përhershëm në të në 20 vjetët e fundit”, ndërsa vendi sapo kishte dalë nga izolimi komunist jo vetëm me kisha të shkatërruara, por edhe me mungesa të mëdha në udhëheqësinë e arsimuar klerikale, e cila ishte burgosur, vrarë dhe përndjekur gjatë disa dekadave të diktaturës.

Refuzimi i kësaj projekt-Kushtetute nga qytetarët me votim në Referendum fashiti për një kohë presionet e qarqeve politike ndaj Kryepeshkopit Anastas, ndërsa Kushtetuta e re e miratuar më 1998 shpalli liritë fetare dhe pavarësinë e bashkësive fetare.

Por kundërshtimet ndaj tij mbeten aktive edhe sot në grupe të vogla besimtarësh dhe politikanësh.

Megjithatë nga viti 2010 ai mban medaljen e Presidencës së Republikës “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, si dhe shtetësinë shqiptare që nga viti 2017.

Për më shumë se tre dekada Kryepeshkopi Anastas drejtoi ringritjen e kishës dhe besimit ortodoks në Shqipëri, si dhe ndërtimin e rreth 500 objekteve të kultit anembanë vendit.

Mes tyre janë edhe restaurimet e dhjetëra kishave të vjetëra shqiptare nga tradita e hershme shumëshekullore.

Ai ngriti pesë qendra mjekësore, një akademi teologjie, një universitet, dy institute, një lice, 5 shkolla filore e të mesme.

Kryepeshkopi Anastas ishte diplomuar për Teologji në Universitetin e Athinës në mesin e shekullit të kaluar, dhe më pas kreu studimet pasuniversitare në këtë fushë në Universitetin e Hamburgut në Gjermani.

Ai iu kushtua studimeve dhe shërbimeve fetare nga rinia e deri në fund të jetës së vet.

Zotërues i disa gjuhëve të huaja dhe titujve nderimi nga shumë shtete, Kisha dhe universitete, Kryepeshkopi Anastas ishte profesor dhe doktor nderi në qendra shkencore e fetare në Greqi, Shqipëri, SHBA, Itali, Rumani, Austri, Rusi, Gjeorgji, Egjipt.

Kryepeshkopi Anastas është autor i një serie librash fetarë e sociologjikë, përkthimesh dhe artikujsh në periodikë të ndryshëm, si dhe një nga kontribuesit e harmonisë ndërfetare në Shqipëri. mb/