Të djathtët izraelitë e kanë përshëndetur, ndërsa Hamasi e ka hedhur poshtë idenë e Trampit për shpërngulje të palestinezëve nga Rripi i Gazës në vendet arabe
- Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Becalel Smotriç, e vlerësoi deklaratën e presidentit amerikan Donald Tramp se palestinezët nga Rripi i Gazës duhet të shpërngulen në vendet arabe.
Tel Aviv, 26 janar 2025 (MIA) - Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Becalel Smotriç, e vlerësoi deklaratën e presidentit amerikan Donald Tramp se palestinezët nga Rripi i Gazës duhet të shpërngulen në vendet arabe.
Pas 76 vitesh, në të cilat shumica e popullsisë së Gazës u mbajt në kushte të vështira për të mbështetur qëllimin e shkatërrimit të Izraelit, ideja për t'i ndihmuar ata duke gjetur vende të tjera ku mund të fillonin një jetë të re dhe të mirë është e jashtëzakonshme, tha Smotriç në gjuhën hebreje në X.
Sipas tij, "politikanët kanë bërë prej vitesh propozime të pazbatueshme, siç është krijimi i një shteti palestinez, i cili do të kërcënonte ekzistencën dhe sigurinë e Izraelit".
"Vetëm të menduarit jo standard rreth qasjeve të reja mund të sjellë paqe dhe siguri", theksoi Smotriç dhe premtoi të punojë me kryeministrin Benjamin Netanjahu për të zbatuar planin e presidentit të SHBA.
Smotriç në të kaluarën e ka mbështetur idenë e vendosjes së izraelitëve në Rripin e Gazës.
Propozimin e Trampit e përshëndeti edhe lideri i partisë së ekstremit të djathtë Fuqia Hebraike, Itamar Ben-Gvir, i cili dha dorëheqjen nga posti i tij si Ministër i Sigurisë Kombëtare javën e kaluar.
Tramp tha mbrëmë se ai dëshiron që Egjipti dhe Jordania të pranojnë palestinezë nga Rripi i Gazës.
"Unë dua që ju të pranoni më shumë refugjatë, sepse siç e shoh unë, i gjithë Rripi i Gazës është kaos, kaos i vërtetë. Pothuajse gjithçka është shkatërruar dhe njerëzit po vdesin atje. Do të preferoja të punoja me disa vende arabe dhe të ndërtoja një vendbanim diku tjetër ku ata ndoshta mund të jetonin në paqe, të paktën një herë", theksoi Tramp, duke pretenduar se kishte folur me mbretin jordanez Abdullah për këtë me telefon.
Ai shtoi se do të diskutojë gjithashtu propozimin me presidentin egjiptian Abdel Fatah al-Sisi, duke vënë në dukje se masa mund të jetë afatgjatë ose e përkohshme, derisa enklava e shkatërruar të rindërtohet.
Tramp nuk dha detaje të mëtejshme rreth propozimit dhe tema nuk u përmend në raportin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.
Hamasi ka njoftuar se do të kundërshtojë propozimin e Trampit.
"Populli ynë palestinez në Rripin e Gazës vuajti vdekjen dhe shkatërrimin për 15 muaj pa e braktisur vendin e tij. Prandaj, ata nuk do të pranojnë asnjë ofertë apo zgjidhje, edhe nëse ato paraqiten si qëllime të mira nën emrin e rindërtimit, siç propozohet nga presidenti amerikan Tramp. Ashtu siç populli ynë ka prishur të gjitha planet për zhvendosje dhe atdhe alternativë gjatë dekadave të fundit, ata gjithashtu do të pengojnë projekte të tilla", deklaroi anëtari i Byrosë politike të Hamasit, Bashem Naim.
Më shumë se dy milionë banorë të Rripit të Gazës janë zhvendosur gjatë luftës 15-mujore me Izraelin, në të cilën pjesa më e madhe e infrastrukturës u shkatërrua. Sipas vlerësimeve të mëparshme të Kombeve të Bashkuara, 60 për qind e ndërtesave në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar dhe rindërtimi mund të marrë dekada.
Gjithashtu sipas të dhënave të KB-së, më shumë se dy milionë refugjatë palestinezë, shumica e të cilëve kanë marrë nënshtetësinë, jetojnë në Jordani. Ata janë pasardhës të rreth 750.000 palestinezëve që u larguan ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre në konfliktet e mëparshme me Izraelin.
Gjatë luftës 15-mujore, mijëra palestinezë ikën në Egjipt, por ata nuk kanë status refugjati atje. mb/
Foto: MIA