• Tuesday, 04 March 2025

Paraburgim për një 28-vjeçar i dyshuar për përndjekjen e kryetarit të komunës së Negotinës

Paraburgim për një 28-vjeçar i dyshuar për përndjekjen e kryetarit të komunës së Negotinës

Shkup, 3 mars 2025 (MIA) - Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka iniciuar procedurë kundër 28-vjeçarit nga Negotina i dyshuar për veprën e përndjekjes, ndërsa gjykata në Negotinë me propozim të prokurorit caktoi masën e paraburgimit.

Siç njoftoi Prokuroria Publike e Shtetit, në periudhën nga 12 shtatori i vitit  2024 deri më 25 shkurt të vitit 2025, i dyshuari përmes Vajberit dhe Fejsbukut ka tentuar të krijoj kontakte të padëshiruara me të dëmtuarin – kryetarin e Komunës së Negotinës, “duke i dërguar vazhdimisht mesazhe tekstuale, linqe dhe fotografi me përmbajtje kërcënuese për ta tërhequr nga ndjekja penale”.

"Përkatësisht, ndaj të dyshuarit aktualisht është duke u zhvilluar një procedim i mëparshëm penal për shtrëngim, në të cilin ndaj tij janë shqiptuar masa paraprake, përfshirë ndalimin e komunikimit me kryetarin e dëmtuar. Përkundër këtyre masave të urdhëruara nga gjykata, i dyshuari ka vazhduar të kontaktojë me kryetarin e komunës dhe ta kërcënojë atë, duke i shkaktuar atij ndjenjën e pasigurisë, ankthit dhe frikës për sigurinë e tij dhe të të afërmve të tij", thuhet në kumtesën e PPRMV.

Për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësinë e përsëritjes së veprës penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

"Gjykata në Negotinë e ka pranuar propozimin dhe ka nxjerrë vendim me të cilin të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit”, ka njoftuar Prokuroria. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s