• Monday, 31 March 2025
English
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Nënshkruhet Memorandum për bashkëpunim midis ATS Grup dhe MKE turke që përfshin hapjen e një fabrike për prodhimin e barutit në vend

Nënshkruhet Memorandum për bashkëpunim midis ATS Grup dhe MKE turke që përfshin hapjen e një fabrike për prodhimin e barutit në vend

Shkup, 27 mars 2025 (MIA) - ATS Grup - kompania e vetme e Maqedonisë së Veriut në industrinë e mbrojtjes - nënshkroi sot pasdite memorandum bashkëpunimi me MKE - kompaninë më të madhe shtetërore në industri në Turqi, që përfshin hapjen e një fabrike të re të prodhimit të barutit në Maqedoninë e Veriut, me investime të përbashkëta nga të dyja palët.

Memorandumi u nënshkruan nga Ilhami Kelesh, drejtor i përgjithshëm i MKE-së dhe Shefshet Demirovski, pronar dhe drejtor ekzekutiv i ATS Grup. Siç theksuan nënshkruesit e memorandumit, me këtë bashkëpunim do të nxiten aktivitetet e të dy kompanive dhe do të rritet prezenca e tyre në tregun ndërkombëtar, veçanërisht në Turqi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në këtë ngjarje morën pjesë ministrat e Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Vllado Misajlovski dhe Timço Mucunski dhe zëvendësministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Heibet Musa.

Në fjalimin e tij Mucunski theksoi se qëllimi i memorandumit është krijimi i kornizës për bashkëpunim dhe zgjidhje për industrinë e mbrojtjes, duke përfshirë aktivitetet strategjike dhe prodhimin e produkteve të industrisë së mbrojtjes. Siç informoi, partneriteti mes dy kompanive është i një rëndësie të madhe për vendin, si anëtar i NATO-s.

Ministri paralajmëroi se në periudhën e ardhshme janë planifikuar projekte për ngritjen e linjave të reja të prodhimit nga MKE, duke përdorur ekspertizën dhe teknologjinë e ATS Grup.

"Me këtë bashkëpunim do të hapet mundësia për rritje të pranisë në tregun ndërkombëtar, si dhe në tregjet e të dy vendeve. Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi është se përfshin hapjen e një fabrike të re, e cila do të rezultojë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe një kontribut të drejtpërdrejtë në ekonominë kombëtare. Kjo është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për tërheqjen e investimeve të huaja, përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Gjithashtu, në periudhën e ardhshme janë planifikuar projekte për ngritjen e linjave të reja të prodhimit nga MKE duke përdorur ekspertizën dhe teknologjinë e ATS Grup në këtë fushë specifike", tha Mucunski.

Nënshkrimi nuk është vetëm një vendim biznesi, shtoi Mucunski, por një mesazh i fortë besimi në kapacitetet tona industriale dhe njohje e potencialit të burimeve tona njerëzore.

Zëvendësministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Heibet Musa shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e memorandumit, "i cili është hap strategjik që do të përforcojë më tej marrëdhëniet midis dy vendeve aleate dhe mike".

Siç theksoi, ai nuk paraqet vetëm dokument të partneritetit teknik, por edhe dëshmi të miqësisë dhe besimit mes Maqedonisë dhe Turqisë. Besoj me gjithë zemër, tha ai, se bashkëpunimi ynë do të kontribuojë në qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm dhe marrëveshja do të jetë e dobishme për të dy vendet tona dhe për tërë rajonin. 

Drejtori i Përgjithshëm i MKE, Kelesh, në fjalën e tij theksoi se bashkëpunimi është një manifestim i besimit të ndërsjellë dhe i një vullneti të fortë për një të ardhme të përbashkët mes dy vendeve, që do të kontribuojë në avancimin e ekosistemit të industrisë së mbrojtjes në rajonin tonë dhe do të hapë dyert për mundësi të reja dhe partneritete të forta.

“Jam i nderuar dhe i lumtur që jam dëshmitar i këtij Memorandumi të vlefshëm të bashkëpunimit që nënshkruam me ATS Grup në vendin tonë mik, Maqedoninë e Veriut. Ky bashkëpunim nuk është vetëm një partneritet teknik mes dy kompanive, por edhe një manifestim domethënës i miqësisë, besimit të ndërsjellë dhe vullnetit të fortë për një të ardhme të përbashkët mes vendeve tona. Ne besojmë se ky bashkëpunim i shumëanshëm jo vetëm që do të avancojë aftësitë e kompanive tona, por do të avancojë edhe ekosistemin e industrisë së mbrojtjes të rajonit tonë dhe do të hapë dyert për mundësi të reja dhe partneritete të forta", theksoi Kelesh.

Bashkëpunimi përfshin transferimin e teknologjisë, njohurive teknike dhe ekspertizës për prodhimin dhe përmirësimin e kapaciteteve prodhuese, modernizimin e linjave të prodhimit, përmirësimin e mundësive të eksportit, kërkimin e përbashkët për rritjen e potencialit të eksportit në tregjet ndërkombëtare, trajnimin dhe asistencën teknike, zhvillimin e programeve të trajnimit dhe përmirësimin e ekspertizës teknike. ls/

Foto: MIA