Pagat e marsit të punonjësve shëndetësorë për 15 për qind më të larta, nga prilli edhe pensione më të larta për për 2.500 denarë
- Pagat e punonjësve shëndetësorë për muajin mars do të jenë 15 për qind më të larta, ndërsa deri në fund të mandatit do të rriten për 40-50 për qind, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 16:38, 30 March, 2025

Novosellë, 30 mars 2025 (MIA) - Pagat e punonjësve shëndetësorë për muajin mars do të jenë 15 për qind më të larta, ndërsa deri në fund të mandatit do të rriten për 40-50 për qind, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në Novosellë të Strumicës, Mickoski kujtoi se nga 1 prilli do të fillojë pagesa e pensioneve lineare të rritura për 2.500 denarë.
"Buxheti në shëndetësi, në Fondin për Sigurime Shëndetësor (FSSH), është historikisht më i larti, 53 miliardë denarë, krahasuar me 35 sa ishin në periudhën e koronës është për 18 miliardë më shumë. Po kthehen borxhet e krijuara nga qeveria e kaluar, ashtu që në përgjithësi investimet në shëndetësi janë shumë të rëndësishme për ne", theksoi kryeministri.
Sa i përket pensioneve, theksoi se rritja nga prilli është një tjetër premtim i qeverisë që po realizohet.
"Dëshiroj të konfirmoj se nga 1 prilli do të fillojë edhe pagesa e pensioneve lineare të rritura për 2.500 denarë të rinj, kështu që me ato rritje fillestare dhe me këtë tani arrijmë në rritjen lineare prej 5.000 denarë që e kemi premtuar në vitin e parë. Ja, në më pak se një vit, në nëntë muaj po e realizojmë. Çdo gjë që u kemi premtuar qytetarëve, e dorëzojmë dhe vazhdojmë të punojmë në interes të qytetarëve", tha Mickoski.
Foto: Arkivi i MIA-s