• Saturday, 28 December 2024

Në Shkup marsh i dytë protestues kundër ndotjes së ajrit

Në Shkup marsh i dytë protestues kundër ndotjes së ajrit

Shkup, 28 dhjetor 2024 (MIA) - Marsh i dytë protestues kundër ndotjes së ajrit po mbahet sot në Shkup, në iniciativë të "Qytetit të gjelbër human". Protesta filloi para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, vazhdon drejt Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe drejt Qeverisë, ndërsa është parashikuar të përfundojë para barakave të Qytetit të Shkupit.

Nga "Qyteti i gjelbër human" kanë katër kërkesa konkrete për luftë kundër ndotjes së ajrit në Shkup.

"Kërkesa e parë është monitorimi i vazhdueshëm i objekteve industriale në mënyrë që të dihet saktësisht se kush dhe si shkakton ndotje. Kërkesa e dytë ka të bëjë me ngrohjen ekologjike të objekteve si Klinika e fëmijëve në Kozle, e cila ende ngrohet me mazut. Kërkesa e tretë është zgjidhja e autocentrizmit në qytet, me prioritet në transportin publik dhe biçikletat ndaj automobilave dhe kërkesa e katërt është menaxhimi më i mirë me mbeturinat", deklaroi Borjan Jovanovski nga nisma " Qyteti i gjelbër human".

Nga marshi i parë protestues që u mbajt më 10 dhjetor kaluan pothuajse tre javë.

"Dy javë nga kërkesat e parashtruara, ndërsa përgjigje nga institucionet akoma nuk ka. Kujt u shërbejnë? Pa ajër të pastër nuk ka shëndet! Pa shëndet nuk ka jetë! Po i mbushim spitalet dhe po i lëmë paratë tona nëpër barnatore", deklaruan nga "Qyteti i gjelbër human" në paralajmërimin për protestën.

Partitë me akuza të ndërsjellta për atë se kush është përgjegjës për ndotjen e ajrit. LSDM opozitare me vërejtje se gjashtë muaj pasi që pushteti është në duart e VMRO-DPMNE-së, ata nuk ndërmorën përgjegjësi dhe hapa seriozë, ndërsa qytetarët janë braktisur.

Nga VMRO-DPMNE me reagim se LSDM shtatë vite nuk arriti asnjë për qind ta ulë ndotjen e ajrit.

Paraprakisht partia e gjelbër RDM dha mbështetje të plotë për protestën.

Sipas të dhënave të UNICEF-it, 11,6 për qind e rasteve të vdekjes tek foshnjat e sapolindura në vend janë të lidhura me ndotjen e ajrit, që do të thotë se çdo i nënti fëmijë i vdekur nën moshën njëvjeçare e humbë jetën për shkak të ajrit të ndotur. ab/

Foto: МIА/ МIА arkivi