• Saturday, 24 January 2026

Muratovska: Nëse Brukseli plotëson kërkesat e transportuesve, do të ketë përfitime të mëdha për zhvillimin e ekonomisë në vend dhe në Ballkanin Perëndimor

Muratovska: Nëse Brukseli plotëson kërkesat e transportuesve, do të ketë përfitime të mëdha për zhvillimin e ekonomisë në vend dhe në Ballkanin Perëndimor

Shkup, 23 janar 2026 (MIA) – Nëse realizohet paralajmërimi i transportuesve nga Ballkani Perëndimor, të hënën në vendin tonë do të mbyllen për trafikun e mallrave vendkalimet kufitare: Deve Bair, Delçev, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitlia, Qafthanë, Blato dhe Blacë, ndërsa Tabanoc – Preshevë do të mbyllet nga ana e Serbisë.

Për shkak të futjes së sistemit të ri për hyrje dhe dalje (EES) të Bashkimit Evropian, transportuesit nga Maqedonia, si dhe ata nga Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, paralajmëruan se të hënën do të fillojnë një bllokadë shtatëditore në vendkalimet kufitare që çojnë drejt zonës Shengen.

Biljana Muratovska, sekretare e përgjithshme e Asociacionit të shoqatave të punëdhënësve të shoqërive transportuese të Republikës së Maqedonisë, “Makam-Trans”, për MIA-n deklaroi se janë të vetëdijshëm për pasojat e bllokadës, por thekson se nëse plotësohen kërkesat e tyre, përfitimet do të jenë të mëdha sa i përket rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë në vend dhe në Ballkanin Perëndimor.

Muratovska tha se deri tani nuk ka asnjë sinjal nga Komisioni Evropian për ndonjë negociatë lidhur me zgjidhjen e problemit me regjistrimin e qëndrimit në zonën Shengen në përputhje me rregullin 90/180 ditë për shoferët profesionalë.

"Nëse deri të hënën nuk merret asnjë informacion nga BE-ja, protesta në të katër vendet do të fillojë pikërisht në orën 12:00 për të gjitha automjetet që dalin nga vendi, ndërsa për të gjitha automjetet që do të hyjnë në vend, vendkalimet kufitare mbyllen në orën 00:00 me qëllim që të gjithë që kthehen në shtëpi të mund të hyjnë dhe t'i bashkohen protestës", deklaroi Muratovska. 

Kërkesa kryesore e transportuesve është të gjendet një zgjidhje për qëndrimin e shoferëve në zonën Shengen, siç shpjegon Muratovska, të mos regjistrohen ditët ose t'u lëshohet një lloj vize që nuk është e kufizuar me numrin e ditëve. 

"Rregullat e reja do të nënkuptojnë një kolaps të plotë të ekonomisë në vend, përkatësisht në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Turqinë (vende që nuk janë anëtare të BE-së dhe të zonës Shengen), për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit. Kurse industria e transportit, në të cilën është investuar kapital i madh dhe siguron fluks efektiv të parave të huaja në buxhet, do të destabilizohet plotësisht,” thekson Muratovska. 
 Protesta, thekson, fillon më 26 janar, ndërsa sipas reagimit të BE-së, do të varet nëse do të fillojë apo do të zgjasë pak, por megjithatë kohëzgjatja maksimale e bllokadave do të jetë shtatë ditë, që është sinonim për një cikël mesatar të transportit të mallrave. 

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi më parë se për një vit kanë alarmuar për problemin me transportuesit dhe me regjistrimin elektronik në BE, duke theksuar se bëhet fjalë për një problem të madh ekonomik, i cili mund të rrëzojë plotësisht ekonominë e Maqedonisë dhe atë rajonale.

“Edhe pse pata një shkëmbim të ashpër argumentesh me autoritetet brenda BE-së direkt në Bruksel, për fat të keq, nuk gjetëm mirëkuptim. Problemi është shumë serioz, sepse kjo do të ndikojë në punën e sektorit të transportit në të gjithë rajonin, veçanërisht te kompanitë me orientim eksporti. Deri tani nuk ka zgjidhje, dhe Qeveria i kupton plotësisht transportuesit dhe bllokadat e paralajmëruara në vendkalimet kufitare drejt vendeve të zonës Shengen,” tha Nikolloski në një intervistë për Radio Lider.

Ai theksoi se aktiviteti ekonomik do të ndalet nëse kompanitë vendase me orientim eksporti nuk mund të eksportojnë, si dhe se ato bëhen jo konkurruese në tregun evropian nëse transporti shtrenjtohet për 3 deri 5 për qind.

Nikolloski tha se gjatë bisedimeve në Bruksel, si shembull përmendi se ekziston një probabilitet i lartë që çmimi i transportit të rritet për 5 për qind, duke bërë që produktet vendase të bëhen jo konkurruese në tregun evropian.

“Sistemi për hyrje dhe dalje (EES) i BE-së nuk vendos asnjë kërkesë të re lidhur me qëndrimet e shkurtra në zonën Shengen,” deklaroi më 19 të këtij muaji zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punët e Brendshme, Markus Lamert, lidhur me pohimet e shoqatave të transportuesve nga Ballkani Perëndimor se EES “në thelb i lë punonjësit dhe shoferët e tyre pa punë,” për të cilat janë paralajmëruar bllokada në vendkalimet kufitare midis vendeve të Ballkanit dhe zonës Shengen më 26 janar.

Ajo që bën EES është të sigurojë zbatimin më të mirë të rregullave ekzistuese dhe zbulimin sistematik të parregullsive,” tha Lamert, duke theksuar se Komisioni Evropian po ndjek me kujdes çështjen e paralajmërimeve të transportuesve dhe është në kontakt me partnerët nga Ballkani Perëndimor.
 
 Lamert thekson se me EES nuk janë futur ndryshime në lidhje me rregullat ekzistuese për qëndrimin në zonën Shengen.
 
 “Sipas rregullave, shtetasit e vendeve të treta pa vizë kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën Shengen gjithsej 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore. Çdo gjë që tejkalon këtë duhet të mbulohet me vizë për qëndrim të gjatë ose me leje të lëshuar nga një vend anëtar,” tha Lamert.

Ai shtoi se rregullat e Shengen-it tashmë u japin transportuesve fleksibilitet, veçanërisht atyre që kalojnë shpesh kufirin në të njëjtin vendkalim. 

“Personat që kanë leje lokale nuk janë të detyruar të regjistrohen në sistemin EES gjatë hyrjes. Nëse kjo bëhet gjatë kontrollimeve rastësore kufitare apo jo, varet nga vendet anëtare në kufijtë e jashtëm, jo nga Komisioni. Rregullat për qëndrimin në zonën Shengen janë të qarta, ato nuk janë ndryshuar dhe kanë një fleksibilitet të caktuar të integruar,” shtoi Lamert. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s