• Monday, 17 March 2025

MSH: Të hospitalizuarit jashtë vendit në gjendje të qëndrueshme, ndihmë nga shumë shtete

MSH: Të hospitalizuarit jashtë vendit në gjendje të qëndrueshme, ndihmë nga shumë shtete

Shkup, 16 mars (MIA) - Ministria e Shëndetësisë sonte njoftoi se në institucionet vendore shëndetësore në shtet janë hospitalizuar mbi 140 pacientë nga aksidenti tragjik në Koçan. Disa nga pacientët janë transferuar në institucione shëndetësore jashtë vendit dhe ata janë në gjendje të qëndrueshme. 

Për të gjitha informacionet lidhur me gjendjen e pacientëve që janë jashtë vendit, është caktuar si person kontaktues Prof. Dr. Igor Nikollov, i cili mund të kontaktohet në numrin e telefonit: +389 72 270 648.

Në Stamboll kanë mbërritur tre pacientë, ndërsa edhe gjashtë të tjerë pritet të mbërrijnë në Ankara deri në mesnatë. Në spitalin e Bullgarisë janë shtruar 14 pacientë, ndërsa në Greqi janë trajtuar katër pacientë. Pesë pacientë janë shtruar në spital në Serbinë fqinje dhe 12 persona të tjerë janë nisur për në Beograd me aeroplan ushtarak.

Gjatë ditës së nesërme pritet të dërgohen nga katër pacientë në Kroaci dhe Rumani, ndërsa nesër pritet që aeroplanë mjekësorë për transport të pacientëve të dërgojnë edhe Sllovenia, Hungaria dhe Austria. 

Si mbështetje shtesë në përballimin e kësaj situate, në vend ka mbërritur një ekip mjekësor nga AUM Beograd, ndërsa priten edhe ekipe mjekësore nga Çekia, Izraeli dhe Belgjika, të cilat do të ndihmojnë në ofrimin e kujdesit të nevojshëm shëndetësor.

Nga orët e hershme të mëngjesit, në Qendrën Klinike funksionon Shtabi i Krizës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

"Ekipet e institucioneve shëndetësore janë të angazhuara plotësisht për të ofruar kujdesin e nevojshëm mjekësor, ndërsa gjendja e të gjithë pacientëve po monitorohet me kujdes dhe po merren vendime konsiliare për hapat e mëtejshëm të trajtimit mjekësor", informuan sonte nga Ministria e Shëndetësisë. 

Në Qendrën Klinike në Shkup janë hospitalizuar 20 pacientë dhe po aq në Spitalin e Përgjithshëm "8 Shtatori", ndërsa 21 pacientë janë trajtuar në "Shën Naumi i Ohrit". Në Spitalin klinik të Shtipit janë hospitalizuar 20 pacientë, në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit shtatë, dhe në Klinikën e Toksikologjisë dy pacientë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s