• Thursday, 17 October 2024

Miteva: Deri në këtë moment në Qeveri nuk ka mbërritur propozim-vendim për përfaqësim të drejtë

Miteva: Deri në këtë moment në Qeveri nuk ka mbërritur propozim-vendim për përfaqësim të drejtë

Shkup, 14 tetor 2024 (MIA) - Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva sot deklaroi se në Qeveri deri më tani nuk ka mbërritur propozim-vendim për përfaqësim të drejtë pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi balancuesin.

Miteva thotë se çështja është e hapur dhe se do të bisedohet në kuadër të koalicionit dhe do të hapet një debat i gjerë. Qëndrimi i Qeverisë është që para se të miratohet zgjidhja ligjore, ajo të dërgohet në Komisionin e Venecias.

"Për momentin nuk ka një vendim të tillë që i është përcjellë Qeverisë, as në seancë qeveritare dhe për të njëjtën menjëherë sa të krijohet mundësia, do të informohet opinioni. Në lidhje me Balancuesin, i cili është shfuqizuar, tashmë kemi shprehur mendimin se i njëjti e ka kryer vlerën e përdorimit të tij, ndaj synojmë të mbyllim çështjet që kanë rezultuar joproduktive në të kaluarën dhe të krijojmë zgjidhje të reja që do do të thotë përfaqësim vërtetë i drejtë, tha Miteva në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.

Pas shfuqizimit të Balancuesit, nga koalicioni VLEN, paralajmëruan se po përgatitin propozim-vendim ligjor. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në një deklaratë për media të shtunën tha se ligji është duke u përgatitur dhe për këtë javë ka paralajmëruar debat publik.

"VLEN po përgatit një ligj të ri, i cili shpresoj se javën e ardhshme do të jetë në debat publik. Ne do të jemi në koordinim me partnerët e koalicionit. Është konstatuar nga të gjitha anët se “balancuesi” nuk ka funksionuar ashtu siç duhet”, tha Taravari para fillimit të manifestimit “World Changers Balkan Summit” në Filarmoni”, tha Taravari.

Lidhur me letrën që duhet dërguar institucioneve evropiane për rrugën evropiane të shtetit, Miteva përsëriti qëndrimin e kryeministrit se do të shihen mendimet e përfaqësuesve evropianë pjesëmarrës në Samitin e Procesit të Berlinit, pas së cilës do të përgatitet letra që do të publikohet.

Kryeministri Hristijan Mickoski të shtunën në konferencë për shtyp në Qeveri tha se letra drejtuar BE-së është në përgatitje, por se para se ta dërgojë. dëshiron të ketë një pasqyre më të qartë se ku jemi dhe çfarë mund të bëjmë. Ai tha se do të shkojë në Samitin e Procesit të Berlinit dhe do të bisedojë me një numër të madh politikanësh evropianë.

"Nuk do të pajtohesha që nuk ka optimizëm. Nuk do të pajtohesha me qëndrimin se nuk ka mirëkuptim për qëndrimet tona, tha Mickoski, duke shtuar se nëse nuk ndryshohet Korniza negociuese, atëherë është mirë të "pranojmë gjithçka dhe të fshijmë veten". ls/

Foto: Arkivi i MIA-s