• Saturday, 24 January 2026

Ministri i Ekonomisë dhe Punës Durmishi u takua me ambasadoren kroate Tiganj

Ministri i Ekonomisë dhe Punës Durmishi u takua me ambasadoren kroate Tiganj

Shkup, 23 janar 2026 (MIA) - Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, realizoi takim pune me Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.S. Nives Tiganj, në të cilin u diskutuan situatat dhe perspektivat për avancimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve mike, kumtoi Ministria.

Në takim u konstatua se marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe lidhjet tradicionalisht të mira dypalëshe krijojnë bazë të fortë për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të biznesit, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian dhe lidhjes rajonale.

"Ministri Durmishi theksoi dinamikën pozitive në shkëmbimin e tregtisë së jashtme, me ç'rast tregtia e përgjithshme midis dy vendeve shënon rritje të vazhdueshme, ndërsa eksporti i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kroaci në vitet e fundit shënon rritje të konsiderueshme. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se ka potencial shtesë për thellimin e bashkëpunimit në sektorët kryesorë siç janë industria ushqimore, energjetika, farmacia, ndërtimtaria, prodhimi industrial dhe turizmi", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.

Theks i veçantë u vu te investimet e huaja direkte, duke theksuar trendin në rritje të investimeve kroate në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, industrinë prodhuese dhe aktivitetet e TI-së. Ministri theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për krijimin e një klime të favorshme biznesi dhe stimujve shtesë për të tërhequr investime të reja dhe për të krijuar vende pune cilësore. sa/

Foto: Ministria e Ekonomisë dhe Punës