• Friday, 21 February 2025

Mexhiti: Nuk ka negociata në lidhje me himnin dhe stemën, por nuk ka as tabu tema

Mexhiti: Nuk ka negociata në lidhje me himnin dhe stemën, por nuk ka as tabu tema

Shkup, 20 shkurt 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ka deklaruar se nuk po zhvillohen negociata për himnin dhe stemën, por edhe se nuk ka tabu tema dhe po diskutohet gjithçka që është në interes të qytetarëve dhe shtetit.

"Fokusi ynë është te programi i qeverisë ku ka shtylla të konfirmuara, nuk ka negociata në lidhje me himnin, stemën, por nuk ka as tabu tema, domethënë po flasim. Ka marrëveshje politike për programin e Qeverisë, i cili ka shtylla të vendoura, siç janë zhvillimi ekonomik, standardi i jetesës, integrimi në BE, rivendosja e sundimit të ligjit, decentralizimi, këto janë fokusi ynë i përditshëm dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj këtyre shtyllave. Për tjetër nuk ka negociata, nuk ka marrëveshje politike, por si Qeveri, gjithçka që është në interes të qytetarëve dhe shtetit, diskutojmë, debatojmë, pro dhe kundër, kjo është në nivel të bisedave, nuk ka tabu tema...Nuk dua të futem në diçka për të cilën nuk ka negociata, nuk ka marrëveshje politike. Nuk po fshehim asgjë", tha Mexhiti.

Në pyetjen nëse ka probleme në koalicion për çështjen e stemës dhe himnit për shkak të qëndrimeve të ndryshme të partnerëve në qeveri, ai tha se ka një Qeveri, por nuk janë një dhe se Qeveria ka kapacitete demokratike dhe politike për të gjetur zgjidhje në tavolinë, të bazuar në argumente.

Ai konfirmoi se edhe nëse Ministria e Drejtësisë e përgatit propozimin për shkarkimin e prokurorit aktual shtetëror, në çka po punohet në mënyrë të përshpejtuar, ai do të jetë në seancën e ardhshme qeveritare.  

Në lidhje me atë nëse kanë marrëveshje koalicioni për përkrahje për zgjedhjet e ardhshme lokale me partnerët në Qeveri, Mexhiti u përgjigj se çdoherë partnerët e koalicionit janë përkrahur.

"Nga pluralizmi e këtej, gjithmonë partnerët e qeverisë janë mbështetur sipas nevojës. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në këto zgjedhje", tha Mexhiti.

Në lidhje me atë se deri ku është hartimi i ligjit për përfaqësim të drejtë dhe kur mund të pritet në Kuvend, ai është përgjigjur se është në fund, por nuk ka saktësuar ndonjë datë.

"Jemi afër fundit, ditët nuk do t'i supozojmë. Pritet takimi i fundit, do të formatohet Propozim-ligji dhe do të njoftoheni", theksoi Mexhiti, në pyetjet e gazetarëve para fjalimit në eventin final të projektit "Ndërtimi i kapaciteteve drejt zhvillimit të qëndrueshëm të kapitalit njerëzor në Maqedoninë e Veriut". rq/

Foto: printskrin