• Saturday, 22 June 2024

Mediat: Makron shkaktoi “tërmet politik” me vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Francë pas humbjes së votimeve në PE

Mediat: Makron shkaktoi “tërmet politik” me vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Francë pas humbjes së votimeve në PE

Paris, 10 qershor 2024 (MIA) - Presidenti i Francës, Emanuel Makron shkaktoi tërmet politik pasi dje shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi pësoi humbje në zgjedhjet evropiane nga partia e ekstremit të djathtë të Marin Le Pen, njoftuan mediat franceze. 

Makron tha se rezultati i votimit ishte i rëndë për qeverinë e tij dhe se nuk mund ta injorojë. Në fjalimin drejtuar popullit, në më pak se dy muaj para Olimpiadës në Paris, ai tha se zgjedhjet për Dhomën e ulët do të mbahen më 30 qershor, ndërsa raundi i dytë më 7 korrik. 

Vendimi tronditës i Makronit është një lëvizje shumë e rrezikshme për të ardhmen e tij politike tre vjet para përfundimit të mandatit të tij. Nëse partia Fronti kombëtar i Le Penit fiton shumicë parlamentare, Makroni nuk do të ketë shumë hapësirë ​​për manovrim në politikën e brendshme, thonë mediat franceze.

Zgjedhjet e djeshme krijuan terrenin për zgjedhjet presidenciale në vitin 2027, njofton DPA. Makron i cili fitoi dy herë raundin e dytë nga Le Pen, nuk do të mund të kandidojë sërish pas dy mandatesh në krye të shtetit.

Marin Le Pen, vajza e themeluesit të së djathtës ekstreme Zhan-Mari Le Pen me sukses e ka riemërtuar partinë duke i dhënë një imazh shumë më të matur në vitet e fundit për ta bërë atë më tërheqëse për votuesit e qendrës së djathtë.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian u zhvilluan në të 27 vendet e bllokut në 4 ditët e fundit, ndërsa të drejtë vote kishin 360 milion njerëz. Edhe pse votimi nuk ndikon drejtpërdrejtë në politikën kombëtare, pasi përcakton vetëm se cilët do të jenë eurodeputetët francezë në legjislaturën e BE-së, çështjet e brendshme politike janë zakonisht kyçe për zgjedhjen e votuesve. qa/