• Friday, 21 February 2025

Me prezantimin e dëshmive vazhdon gjykimi për vrasjet e Vanjës dhe Pançes

Me prezantimin e dëshmive vazhdon gjykimi për vrasjet e Vanjës dhe Pançes

Shkup, 21 shkurt 2025 (MIA) – Me prezantimin e dëshmive materiale të propozuara nga Prokuroria sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup vazhdon gjykimi për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski. Për këtë rast janë të akuzuar Lupço Palevski, Boro Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski të cilët u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë. 

Në seancë gjyqësore po prezantohen gjashtë disqe CD me video nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpinë e të akuzuarit Velibor Manev,  në të cilat gjendet material nga kamerat e sigurisë, i cili i përfshin ditët prej 20.11 deri më 3.12 2023 me mbikëqyrje 24 orëshe, të cilat Gjykata në fillim të seancës së sotme i pranoi që të prezantohen me propozim të Prokurorisë. 

Para fillimit të seancës së sotme Gjykata e hodhi poshtë si të pabazë kërkesën e të akuzuarit të parë Lupço Palevski, i cili në seancën e kaluar kërkoi për herë të dytë që prokuroret Zhaklina Krstevska Josifovska, Ana Stojkoviq Dimitrovska të cilat e udhëheqin lëndën, të përjashtohen, si dhe shefi i PTHP Shkup Gavril Bubevski. Arsyet pse Palevski kërkon përjashtimin janë, siç tha ai, keqpërdorimi i pushtetit dhe paragjykimet.

Në seancën e kaluar gjyqësore ishin prezantuar dëshmi materiale nga ana e Prokurorisë Publike, të cilat përfshinin lëndë të grumbulluara nga vendi i ngjarjeve dhe raporte nga përgatitja teknike e automjetit Reno Kangu. 

Rastin e udhëheq gjykatësi Ivica Stefanovski, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurorja Zhaklina Kërstevska Josifovska. 

Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski akuzohen se kanë planifikuar bashkërisht rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj të ngushtë të sigurojë para për shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezovski, në Veles, sipas aktakuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojë t'ua japë automjetin e tij “Citroen”, në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.

Vanja e mitur dhe Pançe nga Velesi, të cilët ishin denoncuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor të vitit 2023. fc/

Fotografia: MIA