Lideri i ASH-së, Sela u takua me presidentin shqiptar, Begaj në Tiranë
- Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe sekretarja e përgjithshme e partisë, Ilire Dauti sot në Tiranë u takuan me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
- Post By Besnik Shuki
- 21:21, 7 April, 2025

Dibër, 7 prill 2025 (MIA) - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe sekretarja e përgjithshme e partisë, Ilire Dauti sot në Tiranë u takuan me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
"Biseduam për shqetësimet e përbashkëta, për situatën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe zhvillimet politike në vendet tona, në rajon dhe më gjërë", ka shkruar Sela në Fejsbuk.
Ai shtoi se kujdesi dhe interesimi i presidentit Begaj dhe shtetit shqiptar, për shqiptarët në RMV është një mbështetje e fuqishme dhe një motiv i fuqishëm për ne të vazhdojmë të punojmë në ruajtjen e arritjeve të deritanishme, kapërcimin e sfidave dhe të përparojmë edhe më tej.
"Roli i shqiptarëve në Ballkan është kyç për stabilitetin dhe progresin e rajonit, andaj bashkëveprimi ynë me shtetin amë dhe faktorin politik në trojet tona është jetik", thuhet në publikimin.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në rrugën e tij nëpër vendin tonë, për takimin e shefave të shteteve dhe qeverive të “Procesit Akaba Ballkan III”, të mbajtur më 5 prill në Sofje, në Shkup u takua me përfaqësues të partive politike të shqiptarëve, por jo edhe me Selën.
Gjatë rrugës për në Sofje, ai u takua me liderin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi dhe me zëvendëskryeministrin, Arben Fetai.
Gjatë kthimit nga Sofja, ai u takua me ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari dhe Blerant Ramadanin, e menjëherë pastaj edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe Bujar Osmanin. bsh/
Foto: Fejsbuk profili i Ziadin Selës